Loading…

Blinken dhe Lavrov bisedojnë për Ukrainën

  • 21/01/2022 | 12:08

Blinken dhe Lavrov bisedojnë për Ukrainën

Diplomatët më të lartë të Shteteve të Bashkuara dhe të Rusisë, kanë filluar bisedimet në Gjenevë, në një përpjeke të vazhdueshme për të lehtësuar tensionet e ngritura prej javësh, mes shqetësimeve se Rusia do ta pushtojë Ukrainën, pavarësisht paralajmërimeve për pasoja të rënda.


Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, filluan takimin më 21 janar në përpjekje që të shmangin një luftë të mundshme në Evropë.

I ulur përballë ministrit të Jashtëm rus, Lavrov, në një hotel luksoz në qytetin zviceran, Blinken paralajmëroi për një kundërpërgjigje “të shpejtë dhe të ashpër” nëse Rusia pushton Ukrainën, por theksoi se Uashingtoni mbetet i hapur për të gjetur një zgjidhje diplomatike për krizën.

Kurse, Lavrov tha se Rusia nuk pret ndonjë përparim gjatë bisedimeve, të cilat pasojnë një stuhi diplomacie në ditët e fundit që nuk ka arritur të kapërcejë ndarjet e thella midis kryeqyteteve perëndimore dhe Moskës.

Para takimit të Gjenevës, zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, tha se Rusia “nuk ka frikë nga askush, madje as nga SHBA-ja”, duke iu përgjigjur një pyetjeje të CBS News nëse “Ukraina e frikëson Rusinë”.

Inteligjenca ushtarake ukrainase tha më herët se Rusia po rekrutonte në mënyrë aktive “mercenarë” dhe po i dërgonte ata për stërvitje intensive në zonat e kontrolluara nga separatistët në Ukrainën lindore.

Shtetet e Bashkuara nuk presin t’i zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre me Rusinë për Ukrainën në bisedimet në Gjenevë të premten, por presin të shohin nëse diplomacia mbetet një opsion i zbatueshëm, tha Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, pas mbërritjes në takim.

“Ky është një moment kritik. Ju keni të drejtë: ne nuk presim t’i zgjidhim mosmarrëveshjet tona këtu sot”, tha Blinken në fjalën e hapjes për bisedimet me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

“Por, unë shpresoj dhe pres që ne të mund të shohim nëse rruga e diplomacisë, e dialogut, mbetet e hapur. Ne jemi të përkushtuar për të ecur në atë rrugë, për t’i zgjidhur dallimet tona në mënyrë paqësore”, shtoi Blinken.

FotogaleriGrumbullim ushtarak: Zbulohen autoblindat ruse afër Ukrainës
Që para nisjes pcr në Gjenevë, Blinken kishte theksuar se nuk parashikon një përparim në këto bisedime, të cilat, siç tha ai, duke pasur parasysh gjendjen ku ndodhen bisedimet, duhet të eksplorojnë nëse mund të vazhdohet vërtet të ndiqet rruga diplomatike për zgjidhjen e kësaj krize.

“Rusia mund të zgjedhë rrugën e diplomacisë dhe dialogut ose konfrontimin dhe pasojat”, tha Blinken më 20 janar, në një intervistë për televizionin gjerman ZDF.

Moska dëshiron që trupat e huaja të NATO-s të largohen nga Rumania dhe Bullgaria si pjesë e kërkesave të sigurisë që po kërkon nga aleanca e udhëhequr nga SHBA, tha të premten Ministria e Jashtme ruse para bisedimeve Rusi-SHBA në Gjenevë.

Rusia dëshiron “tërheqjen e forcave të huaja, pajisjeve dhe armëve” nga vendet që nuk ishin anëtare të NATO-s para vitit 1997, duke përfshirë Bullgarinë dhe Rumaninë, tha ministria në një deklaratë.

Rusia ka grumbulluar më shumë se 100,000 trupa në Krime dhe pranë kufijve të Ukrainës, duke ngritur alarmin në kryeqytetet perëndimore se Moska po përgatit veprime të mëtejshme ushtarake kundër Ukrainës.

Moska tashmë mbështet luftëtarët separatistë në një luftë të vazhdueshme në Ukrainën lindore që ka marrë jetën e më shumë se 13,200 personave që nga viti 2014, të njëjtin vit kur aneksoi ilegalisht Krimenë.

Moska është e zemëruar për mbështetjen ushtarake perëndimore për Ukrainën.

Uashingtoni dhe aleatët e tij kanë thënë se shumica e kërkesave të Rusisë nuk janë fillestare.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, tha në një konferencë shtypi më 19 janar se Rusia do të përballet me pasoja të rënda ekonomike nëse ndodh një ofensivë ushtarake.

Rusia mohon planifikimin e një pushtimi, edhe pse shton retorikën luftarake dhe kërkon një listë garancish sigurie.

Kërkesat përfshijnë një premtim nga NATO për të mos pranuar kurrë Ukrainën dhe për një tërheqje të konsiderueshme të aleancës nga Evropa Lindore. /rel

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë