Është botuar vëllimi elektronik me titull “Formimi i identitetit kulturor të brezit të ri në hapësirën albanofolëse nën ndikimin e gjuhës dhe kulturës gjermane”, i realizuar në kuadër të një projekti kërkimor të financuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, transmeton Gazeta Metro.
Ky projekt është udhëhequr nga profesoresha Vjosa Hamiti, me pjesëmarrjen e studiuesve dhe bashkëpunëtorëve akademikë nga Universiteti i Prishtinës dhe Universiteti i Tiranës, përfshirë edhe eksperte të jashtme dhe studentë të nivelit master dhe doktoraturë.
Botimi përfshin 37 ese të studentëve nga të dy universitetet, të cilat trajtojnë ndikimin e gjuhës dhe kulturës gjermane në ndërtimin e identitetit kulturor të të rinjve në Kosovë dhe Shqipëri, në kontekstin e globalizimit dhe lëvizshmërisë akademike e profesionale.
Sipas përmbajtjes së vëllimit, gjuha gjermane nuk shihet vetëm si mjet komunikimi apo zhvillimi profesional, por edhe si faktor që ndikon në riformësimin dhe zgjerimin e identitetit kulturor të brezit të ri albanofolës.
Publikimi është i qasshëm në format elektronik PDF dhe E-book/EPUB, si dhe është botuar në shqip dhe gjermanisht, duke shërbyer si material referues për studime në fushat e sociolinguistikës, ndërkulturalitetit dhe identitetit kulturor./gazetametro.net