Paparaci ka siguruar komunikimet ekskluzive në WhatsApp të zhvilluara në një grup privat mes ish-ministres së Tregtisë, Rozeta Hajdari, sekserit të mallrave të Rezervave Shtetërore, Ridvan Muharremi dhe dy zyrtarëve të Ministrisë.
Një dosje e klasifikuar si sekret shtetëror nuk po trajtohej në zyra të shtetit, me procedura zyrtare dhe me linja të sigurta komunikimi.
Për muaj të tërë, ajo po diskutohej në WhatsApp.
Komunikimet e siguruara nga telefoni i ish-ministres së Tregtisë, Rozeta Hajdari, zbulojnë biseda të shpeshta të saj me sekserin Ridvan Muharremi dhe dy zyrtarët e Ministrisë, Irfan Lipovicën e Hafiz Garën, për procesin e blerjes së rezervave shtetërore.
Dosja ishte e klasifikuar si sekret shtetëror me vendim të Qeverisë së Kosovës, në një mbledhje të zhvilluar në shkurt të vitit 2022.
Por, komunikimet tregojnë se sekreti i shtetit kryhej në platformën WhatsApp, mes katër personave që, sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, nuk posedonin as certifikata sigurie.
Bisedat e plota, të cilat i ka siguruar Paparaci, ishin zhvilluar mes muajve mars dhe qershor të vitit 2022.