Bashkimi Evropian po shpreson të avancojë mbrojtjen e tij ndaj aktiviteteve intimiduese ekonomike të vendeve rivale si Kina dhe Rusia.
Të mërkurën, Komisioni Evropian publikoi planet që do t’i lejojnë Brukselit të vendosë anti-sanksione ndaj individëve, kompanive dhe vendeve që cënojnë vendet anëtare të BE-së.
Së fundmi, Kina ndaloi eksportet nga Lituania për shkak të vendimit të vendit baltik për të vendosur marrëdhënie me Tajvanin.
Kjo u mor si shembull për përdorimin e mjeteve të reja, që u lejojnë 27 vendeve anëtare të veprojnë së bashku nëse një shtet vihet në vështirësi nga një fuqi e madhe.
“Aktualisht jemi në një situatë gjeopolitike konfliktuale dhe ky instrument do të na mundësojë të reagojmë më mirë në situata të tilla. Ai do të tregojë se në rast nevoje, BE ka mjetet për t’u mbrojtur nga agresionet ekonomike”, tha Vladis Dombrovskis, zëvendës president i Komisionit Evropian.
Vendimet e politikës së jashtme të BE-së për sanksione kanë qenë të vështira për t’u miratuar, pasi kërkojnë unanimitet dhe shpesh herë qeveritë kanë marrëdhënie tregtare me Rusinë apo Kinën, nga të cilat BE kërkon të mbrohet.
Mekanizmi i propozuar, sapo të jetë aprovuar, do t’i lejojë BE-së të veprojë menjëherë.
“Çfarëdo që të jetë duke bërë BE për vendosjen e sanksioneve apo masave reciproke, ato janë të minuara pasi vetë disa shtete anëtare bëjnë gjëra që bien ndesh me objektivat e politikave kolektive. Problemi është se shtetet anëtare ruajnë me zell prerogativat e tyre në politikën e jashtme”, tha John O’Brennan, profesor, Universiteti i Irlandës.
Edhe pse propozimet kanë mbështetjen e Francës dhe Gjermanisë, disa vende të tjera, si Republika Çeke dhe Suedia, i shohin ato si kërcënim për marrëdhëniet tregtare.
Mes masave që mund të imponohen janë tarifat dhe kuotat e importeve.