Pafajësia e ish-ministrit të Shëndetësisë, Bujar Bukoshi, ish-sekretarit Ilir Tolaj dhe disa vartësve të tyre do të sfidohet edhe një herë në gjykatë.
Lënda e disa tenderëve të Ministrisë së Shëndetësisë do të gjykohet sërish pasi që Gjykata e Apelit ka konsideruar se Gjykata Themelore ka bërë disa shkelje në këtë proces, shkruan sot Koha Ditore.
Tenderët për të cilët akuzohen zyrtarë e ish-zyrtarë të MSH-së datojnë që prej vitit 2007. Pas dhjetë vjetësh pritet që ky rast të shqyrtohet përsëri.
“Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i datës 19 korrik 2013, lidhur me disa pikat e akuzës, është anuluar dhe është kthyer për rigjykim. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i datës 19 korrik 2013, sa u përket pikave të tjera të akuzës është vërtetuar. Lënda penale ka të bëjë me procesin e tenderimit të mbajtur në Ministrinë e Shëndetësisë, në vitin 2007, si dhe 2010-2011”, thuhet në emailin e Gjykatës së Apelit.
Në këtë rast të përfshirë përveç Tolajt dhe Bukoshit kanë qenë edhe Arbenita Pajaziti, Hajrullah Fejza, Ismet Hyseni, Zenel Kuçi e Bekim Fusha.