Kylie Jenner ka reflektuar mbi një nga periudhat më ekstravagante të jetës së saj, duke pranuar se me kalimin e viteve ka ndryshuar mënyrën se si e percepton luksin dhe stilin e jetesës.
Në një intervistë për “Who What Wear”, sipërmarrësja dhe ylli televiziv tregoi se në moshë më të re e shihte një shtëpi madhështore dhe një jetë luksoze si simbole të rëndësishme të suksesit.
“E kam ndryshuar mendjen për këtë. Kur isha më e re, isha shumë e emocionuar dhe bleva shtëpinë më të çmendur në Beverly Hills dhe thjesht kalova nëpër atë proces”, tregoi Jenner.
Megjithatë, me kalimin e kohës, ajo kuptoi se përmasat e jetës së saj kishin filluar ta rëndonin.
“E kuptova se jeta ime ishte bërë shumë e madhe. Mendoj se për një kohë humba kontrollin e jetës sime atje”, shtoi ajo.
Bëhet fjalë për rezidencën në Beverly Hills, të cilën Kylie e bleu në vitin 2018 së bashku me ish-partnerin e saj, Travis Scott, për 13.5 milionë dollarë.
Sot, Jenner duket se ka një qasje krejt tjetër ndaj asaj që e konsideron luks.
Në vend të hapësirave të mëdha dhe pamjes së tepruar, ajo thotë se preferon një ambient më personal, më të ngrohtë dhe më të përshtatshëm me mënyrën se si dëshiron të jetojë.
Më herët gjatë këtij viti, Kylie foli edhe për rezidencën e saj të re në Hidden Hills, Kaliforni, duke zbuluar disa nga elementet që e bëjnë atë më afër shijes së saj aktuale.
Shtëpia përfshin kuzhinën që ajo e konsideron të ëndrrave, mure prej guri dhe pajisje me stil vintage.