“Prokuroria së bashku me Policinë do të ndalojnë dhe do të arrestojnë të gjithë ata që në çfarëdo mënyrë ndikojnë në keqpërdorimin e votës”, është mesazhi që ka dhënë sot prokurorja Laura Pula gjatë një konference të mbajtur sot bashkë me policinë e Kosovës dhe KQZ-në.
Udhëheqësit e këtyre tri institucioneve si, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës, kanë bërë të dituar se kanë bërë të gjitha përgatitjet dhe kanë marr të gjitha masat e nevojshme për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Drenasit.
Prokurorja Laura Pula, ka thënë se kanë bashkërenduar veprimet e tyre me të gjitha institucionet me qëllim të mbarëvajtjes së zgjedhjeve. Si veprime konkrete ajo ka njoftuar se kanë angazhuar prokuror kujdestar si në Prishtinë ashtu edhe në Drenas. Gjithashtu ka thënë se kanë angazhuar edhe staf mbështetës për të siguruar efikasitet në mbrojtje të votës.
Ndërsa, kryeshefi Ekzekutiv i Sekretariatit KQZ-ës, Enis Halimi, ka thënë se përgatitjet si dhe implementimi i procesit zgjedhor në Drenas po shkon sipas planeve operacionale të KQZ-së. Ai ka theksuar se i kanë të gjitha materialet në depot e tyre dhe se kanë përfunduar trajnimin e komisionarëve.
E në anën tjetër zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Naim Rexha, ka thënë se policia është e angazhuar që i tërë procesi zgjedhor të shkojë si duhet. Rexha ka njoftuar se kanë angazhuar personel të mjaftueshëm për të garantuar një mbarëvajtje të zgjedhjeve.
“Policia e Kosovës ka ndarë në aspektin planifikues, personel të mjaftueshëm të përqendruar në detyrën konkrete dhe aspekte të nevojshme logjistike për të garantuar një mbarëvajtje të plotë të procesit nga cilido këndvështrim i analizuar”, ka thënë Rexha. /gazetametro.net