Që nga 18 maji i viti të kaluar, Shërbimi Korrektues i Kosovës është pa drejtor të rregullt.
Pikërisht në këtë datë vitin e kaluar Këshilli Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë kishte marrë vendim për shkarkimin e Nehat Thaçit, ish-Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues në Kosovë.
E lajmin për shkarkimin e tij e kishte bërë të ditur edhe zv/ministri i Drejtësisë së Kosovës, Blerim Sallahu.
“Ditëve në vijim presim ftesat nga Këshilli për prezantimin e fakteve tona që e mbështesin kërkesën tonë për shkarkimin e z.Thaçi nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të SHKK-së”, pati deklaruar ai.
Pavarësisht kohës së gjatë që ka kaluar, ky dikaster vazhdon të drejtohet nga zv/drejtori, Sami Gashi.
“Sa i përket drejtorit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, ju njoftojmë se aktualisht detyrën e ushtron, Zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sami Gashi.”, u tha në përgjigjen e SHKK-së për lajmi.net.
E pavarësisht pyetjeve të vazhdueshme në drejtim të Ministrisë së Drejtësisë lidhur me emërimin e shefit të burgjeve, këta të fundit nuk janë përgjigjur në pyetjet e mediumit.
Por pa drejtor të rregullt vazhdojnë të jenë edhe shumë Qendra Korrektuese të Kosovës.
Nga Shërbimi Korrektues i Kosovës kanë konfirmuar për lajmi.net se janë pesë qendra të cilat po drejtohen me zëvendësues të drejtorëve.
Qendra e Paraburgimit në Mitrovicë, Qendra e Paraburgimit në Prishtinë, Qendra për Femra në Lipjan , ajo në Prizren si dhe Qendra Korrektuese në Smrekonicë.
Nga Shërbimi Korrektues i Kosovës kanë theksuar se të gjitha pozitat e lartcekura janë në faza të ndryshme në proces të rekrutimit.
“Sipas legjislacionit në fuqi, të gjitha pozitat e lartcekura janë në faza të ndryshme në proces të rekrutimit.”, u tha në përgjigjen e SHKK-së.
Në një përgjigje të dhënë më parë nga Ministria e Drejtësisë lidhur me mungesën e drejtorit në Shërbimin Korrektues të Kosovës pas largimit të Nehat Thaçit, ishte thënë se kështu do të mbetet deri në përfundim të procedurës së konkursit të shpallur për Drejtor të Përgjithshëm të SHKK-së.
“Sipas legjislacionit në fuqi, aktualisht në krye të Shërbimit Korrektues është zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i SHKK-së dhe do të mbetet kështu deri në përfundimin e procedurës së konkursit të shpallur për Drejtor të Përgjithshëm të SHKK-së, po ashtu sipas dispozitave ligjore në fuqi”, ishte thënë nga MD.
Pavarësisht kësaj, lidhur me këtë konkurs nuk janë dhënë detaje asnjëherë nga Ministria e Drejtësisë, teksa u bë e ditur se me këtë konkurs po merrej Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës.
Derisa procesi i emërimit të drejtori të ri të përgjithshëm në burgjet e Kosovës vazhdon të zvarritet, në kuadër të burgjeve të Kosovës vazhdojnë të jenë shumë të burgosur.
Në njoftimet publike të SHKK-së theksohet se numri i përgjithshëm i atyre që janë të burgosur brenda burgjeve të Kosovës është 1 mijë e 471 persona. 1 mijë e 22 prej tyre janë të dënuar, kurse numri i të paraburgosurve është 430.