Një rrjet ndërkombëtar i trafikimit të drogës është prishur pas arrestimit të tre personave në Serbi. Një zyrtar i Inspektoratit të Brendshëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë dhe gruaja e tij , zyrtare e Agjencisë së Informacionit dhe Sigurisë (BIA) të Serbisë i prinin këtij grupi të krimit të organizuar, transmeton Gazeta Metro.
Sipas raportit të medias serbe Nova këta dy së bashku me një ish zyrtar policor serb për një periudhë të gjatë kanë organizuar trafikimin e kokainës nga Amerika Jugore me anije në shtetet e Bashkimit Evropian prej nga përfitimet i kanë transportuar në Serbi dhe Mal të Zi.
Të dy zyrtarët serbë të sigurisë kanë keqpërdorë postet e tyre për të mundësuar trafikimin e këtij grupi kriminal.
Ish zyrtari policor serb ka shërbyer si shofer në bartjen e parave të përfituara nga kokaina që i transportonte nga shtetet e Bashkimit Evropian në Serbi dhe Mal të Zi.
Një pjesë e parave ishte investuar në ndërtimin e patundshmërive në territorin e Serbisë dhe Malit të Zi./gazetametro.net