Me buxhetin e ri federal, mjetet financiare do të zvogëlohen për invalidët dhe të varfrit, ndërsa do të rriten për Pentagonin.
Kabineti i presidentit të SHBA Donald Trump ka publikuar në Uashington propozimin e tij të buxhetit federal të SHBA’ve, me shpenzime prej 4.100 miliardë dollarë, me të cilin më së shumti do të goditen të varfrit dhe invalidët, derisa fituesja më e madhe është ushtria, gjegjësisht Pentagoni.
Plani i Trump’it për vitin buxhetor, i cili fillon më 1 tetor, duke caktuar drejtimin e politikës fiskale për dhjetë vitet e ardhshme, parasheh shkurtimet e mëdha të shpenzimeve në programe të mbrojtjes dhe ndihmës, e në mes tyre janë programi Medicaid, programi i sigurimit shëndetësor për fëmijë dhe programi i mbrojtjes sociale të invalidëve.
Nga ana tjetër, do të rriten shumë shpenzimet për ushtrinë dhe sigurimin e kufirit shtetëror.
Për mur me Meksikën 2.6 miliardë dollarë
Për teknologjinë në lidhje me sigurimin e kufirit, i cili përfshinë edhe ndërtimin e murit në kufi me Meksikën, janë paraparë 2.6 miliardë dollarë.
Gjatë kampanjës parazgjedhore Trump pandërprerë ka premtuar se ndërtimin e murit do ta paguaj Meksiko, gjë që zyrtarët meksikan e kanë mohuar, dhe tani, si president i SHBA, ka paraparë se shpenzimin e ndërtimit të murit do ta bartin tatimpaguesit amerikan.
Si fitues për nga rritja në vijat buxhetore mund të konsiderohen edhe pensionistët dhe prindërit e fëmijëve të porsalindur.
Plani i Trump’it nuk ka paraparë ndryshime në dhëniet për pensionistët në kuadër të mbrojtjes sociale, për çfarë ekzistojnë mjetet deri në vitin 2034, dhe të programit të mbrojtjes shëndetësore Medicare, i cili ka mjete deri në vitin 2028.
Propozimi parasheh zvogëlim prej 616 miliardë dollarë në dekadën e ardhshme për programin Medicaid dhe për programin e sigurimit shëndetësor të fëmijëve.
Më pak mjete për triska për ushqim
Plani i Trump’it për dhjetë vitet e ardhshme përfshinë edhe zvogëlimin prej 191 miliardë dollarëve për programin e triskave për ushqim, si dhe zvogëlimin prej 22 miliardë dollarë për program të ndihmës së përkohshme familjeve me vështirësi financiare.
Mjetet për programin e ndihmës sociale për invalidët do të zvogëlohen për gati 70 miliardë dollarë në dekadën e ardhshme, me qëllim të përfshirjes së tyre përsëri në procesin e punës.
Sipas propozim buxhetit të Trump’it, huat për studentë do të zvogëlohen për 143 miliardë dollarë, ndërsa ndihma për bujqit për 38 miliardë dollarë në dekadën e ardhshme./gazetametro.net