Gazetari Berat Buzhala ka ndarë me publikun përvojën e tij në festën e organizuar nga Ambasada e Amerikës në Prishtinë për nder të 4 korrikut, festës së pavarësisë, shkruan Gazeta Metro.
Buzhala ka shkruar gjatë për festën e organizuar javën e kaluar, festa e parë që nga viti 2019 për shkak të pandemisë, teksa tregon disa momente që ai i quan si komedi.
Ai thotë se krahu i PDK’së në këtë organizim dukej më i palumtur në krahasim me kohën kur ishin në pushtet dhe flisnin me shumë lehtësi me ambasadorin amerikan, sipas Buzhalës.
Ndërsa, tani, rolin e PDK’së së dikurshme e kishte marrë VV’ja, thotë Buzhala duke përmendur Mefail Bajqinovcin, Hekuran Muratin, Liburn Aliun dhe Dimal Bashën.
“Prezenca e Mefailit, Hekuranit, Liburnit, Dimalit dhe serviliteti i tyre përballë çdokujt që fliste anglisht për mua ishte një film që e kisha parë, sado që dukej sureale”, shkruan Buzhala në opinionin e tij për Gazetën Nacionale.
Për Mefail Bajqinovcin, gazetari shprehet më detajisht: “Pamja e Mefailit në këtë ngjarje është e papërshkrueshme. Nuk e kam talentin e duhur për ta shndërruar në shkronja atë që e kam në kokë. Vetëm mund të them që Mefi e kishte një dëshirë që të dukej edhe më i gjatë sesa është, në mënyrë që të shihej prej çdo cepi të oborrit të Ambasadës që lartmadhëria e tij ishte prezent aty.”
Gazetari Buzhala e vendos theksin disa herë mbi ngjashmëritë e PDK’së së kohës së Thaçit dhe VV’së së sotme, duke e quajtur si një film të parë më herët./gazetametro.net