Kandidati i Lidhjes Social Demokrate të Vojvodinës, për president të Serbisë, Nenad Canak, ka thënë se duhet pranuar faktin fatkeq se Kosova është e pavarur nga Serbia.
Canak në një intervistë për agjencinë e lajmeve Beta, ka thënë se “duke mbrojtur veprimet e Slobodan Milosevicit, nuk po jemi të gatshëm të pranojmë faktin fatkeq, se Kosova është e pavarur nga Serbia, përcjellë gazetametro.net.
“Ne e kemi humbur luftën të udhëhequr nga regjimi i Slobodan Milosevicit, regjim që na i solli bombardimet e NATO’s”, ka thënë Canak.
Ai ka shtuar se fakti që në pikë kalimet kufitare qytetarët e Serbisë duhet të paraqesin dokumentin e udhëtimit, tregon se Kosova është e ndarë nga Serbia, dhe atë kufi e garantojnë forcat ndërkombëtare.
“Unë nuk e kam asnjë problem të them se Kosova është e pavarur nga Serbia, për shkak se nuk dua të përfshihem në politikën që ua bën qejfin qytetarëve me gënjeshtra, apo me populizëm që ata kanë qejf ta dëgjojnë. E vërteta çdo herë është më e vështirë, por vetëm ajo të ndihmon që të ecësh përpara. Me gënjeshtra mund të ëndërrosh, por me to nuk jetohet”, ka thënë Canak.
Ai gjithashtu, ka thënë se Serbia duhet të bëhet anëtare e NATO’s, sepse antarësimi në këtë organizatë nuk ka vetëm përfitim ushtarak, por edhe ekonomik.
Për dallim nga politikanët nacionalistë serbë, Canak po kërkon që Serbia të orientohet nga Perëndimi, dhe jo nga Rusia. /gazetametro.net