Loading…

‘Cari’ i Rusisë i kthehet armës së vjetër, puth fëmijët para kamerave për ta kthyer fuqinë që humbi

  • 10/05/2026 | 08:51

‘Cari’ i Rusisë i kthehet armës së vjetër, puth fëmijët para kamerave për ta kthyer fuqinë që humbi

Në një sallë sportive të mbushur me vajza të vogla balerina në Saint Petersburg, kamerat fokusohen te buzëqeshja e Vladimir Putin. Ai pyet për moshën, për ëndrrat, për baletin, transmeton Gazeta Metro.


Pastaj afrohet, puth në ballë një vajzë 10-vjeçare, ledhaton flokët e një tjetre dhe largohet me një “Faleminderit” të qetë, pothuajse atëror. Pamjet shpërndahen menjëherë në televizionet shtetërore dhe rrjetet sociale pro-Kremlinit.

Por për shumë analistë, kjo nuk ishte thjesht një skenë spontane me fëmijë. Ishte një sinjal alarmi politik që tregon rënien e Putin në sy të popullit.

Sa herë që pushteti i tij lëkundet, Putini duket se rikthehet te një ritual i njohur propagandistik ku shfaqet “njerëzor”, i butë, emocional  pranë fëmijëve.

Një formulë e vjetër sovjetike që dikur e përdorte edhe Joseph Stalin, figurë që propaganda ruse sot po përpiqet ta rikthejë me një imazh më pozitiv.

Kjo skenë nuk është e re. Në qershor të vitit 2023, vetëm pak ditë pasi rebelimi i Yevgeny Prigozhin dhe mercenarëve të Wagner Group tronditi themelet e Kremlinit, Putini u shfaq në Dagestan duke puthur në ballë një adoleshent mes turmës.

Në atë periudhë, lideri rus vazhdonte të ruhej me masa ekstreme sigurie për shkak të frikës nga Covid-19. Distanca të mëdha, tavolina kilometrike dhe izolim rigoroz për zyrtarët. Por para kamerave, ai papritur dukej i afërt, i ngrohtë dhe pa frikë.

Sipas politologes ruse në mërgim, Farida Rustamova, këto dalje nuk janë rastësi.

“Këto gjeste tregojnë qartë se Putini është i shqetësuar për rënien e mbështetjes popullore”, vlerëson ajo.

Dhe shifrat duket se e konfirmojnë nervozizmin e Kremlinit. Sondazhet e agjencisë shtetërore Vtsiom tregojnë se mbështetja për Putinin ka rënë nga 74% në 65.5%, niveli më i ulët që nga nisja e luftës në Ukrainë në vitin 2022. Edhe instituti FOM flet për një rënie të miratimit, ndërsa Levada Center, që konsiderohet më i pavarur – thotë se popullariteti i presidentit ka humbur gjashtë pikë vetëm që nga fillimi i vitit.

Por ajo që shqetëson më shumë Kremlinin nuk është vetëm lufta. Është xhepi i qytetarëve.

Inflacioni në rritje, çmimet që po godasin familjet ruse dhe rënia e fuqisë blerëse po krijojnë një pakënaqësi të heshtur, por gjithnjë e më të dukshme. Drejtori i Qendrës Levada, Denis Volkov, e përmbledh qartë situatën; “rritja e çmimeve është sot shqetësimi më i madh për rusët.”

Ndërkohë, edhe besimi se Rusia po ecën “në drejtimin e duhur” po shkrihet me shpejtësi. Nga 77% disa muaj më parë, shifra ka rënë në vetëm 55%.

Në një shtet ku censura po shtrëngohet çdo ditë, ku rrjetet sociale ndalohen dhe mediat kontrollohen me dorë të hekurt, pakënaqësia po gjen rrugë alternative. Përmes VPN-ve, qytetarët postojnë video në TikTok dhe Telegram ku kritikojnë pushtetin, edhe pse rrezikojnë burg ose ndjekje penale.

Ka edhe një tjetër detaj që ushqen spekulimet: Putini po shihet gjithnjë e më rrallë në publik. Muajt e fundit ai pothuajse nuk është larguar nga Moska dhe, për herë të parë pas shumë vitesh, nuk mbajti as fjalimin tradicional drejtuar kombit – një detyrim kushtetues për presidentin rus.

Analistët besojnë se lideri i Kremlinit po izolohet gjithnjë e më shumë nga realiteti i qytetarëve të zakonshëm.

Ndërkohë, në horizont afrohen zgjedhjet parlamentare të 20 shtatorit. Edhe pse rezultati konsiderohet i kontrolluar, frika e Kremlinit nuk lidhet me humbjen, por me zemërimin popullor dhe pjesëmarrjen e ulët, një skenar që kujton protestat masive të vitit 2011.

Prandaj propaganda ka aktivizuar sërish formulën e vjetër, Putinin “njeri”, Putinin “babaxhan”, Putinin që përqafon fëmijë.

Dhe kështu, ndërsa ekonomia dridhet, lufta vazhdon dhe pakënaqësia rritet, “Cari” i Rusisë është rikthyer te arma më e vjetër e imazhit, një puthje në ballë, para kamerave./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë