Loading…

Çartet Kina komuniste: Pelosi arriti derisa aeroplanët kinezë fluturonin mbi ngushticën e Tajvanit

  • 02/08/2022 | 17:16

Çartet Kina komuniste: Pelosi arriti derisa aeroplanët kinezë fluturonin mbi ngushticën e Tajvanit

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Nancy Pelosi ka arritur në Tajvan, pavarësisht kërcënimeve të Kinës se Uashingtoni do të përballet me “pasoja serioze”. Ajo u prit në aeroportin e Tajpeit nga ministri i Jashtëm i Tajvanit, Joseph Wu.


Vizita e saj në Tajvan vjen teksa media shtetërore kineze raportoi të martën se avionët luftarakë kinezë po fluturojnë mbi Ngushticën e Tajvanit.

“Avionët kinezë të llojit Su-35 po kalojnë mbi Ngushticën e Tajvanit”, raportoi media shtetërore TV CGTN, pa ofruar detaje të tjera.

Vizita e Pelosit në Tajpei të Tajvanit vjen mes paralajmërimeve të intensifikuara nga Kina dhe katër anije luftarake amerikane duke përfshirë një aeroplanmbajtëse, u pozicionuan në ujëra në lindje të ishullit.

Transportuesi i USS Ronald Reagan, që kishte kaluar transit në detin e Kinës Jugore, aktualisht është në detin e Filipineve, në lindje të Tajvanit dhe Filipineve dhe në jug të Japonisë, konfirmoi një zyrtar i marinës amerikane për Reutersin të martën.

Ronald Reagan (CVN 76) është aeroplanmbajtësja e nëntë e klasit Nimitz me energji bërthamore dhe është emëruar kështu për nder të presidentit të 40-të të Shteteve të Bashkuara.

“Derisa ato janë në gjendje t’i përgjigjen çdo eventualiteti, këto janë zhvendosje normale rutinore”, tha zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti.

Zyrtari i marinës amerikane tha se anija sulmuese USS Tripoli, ishte gjithashtu në zonë si pjesë e një dislokimi në rajon që nisi në fillim të majit nga porti i saj i origjinës, San Diego.

Konfirmimi i dislokimeve u bë pasi u shfaqën shenja të aktivitetit ushtarak në të dy anët e Ngushticës së Tajvanit para vizitës së Pelosit.

Pelosi, kritike për një kohë të gjatë e Kinës, viziton Tajvanin pasi Shtetet e Bashkuara deklaruan se nuk do të frikësoheshin nga ” kërcënimi i forcës ushtarake” kineze gjatë vizitës.

Përveç aeroplanëve kinezë që fluturonin afër vijës ndarëse të martën në mëngjes, disa anije luftarake kineze kishin mbetur pranë kësaj vije që nga e hëna, i tha Reutersit një burim i informuar për këtë çështje.

Burimi tha se si anijet luftarake dhe avionët kinezë “ngushtuan” vijën ndarëse të martën në mëngjes, një lëvizje e pazakontë që burimi e përshkroi si “shumë provokuese”.

Burimi tha se avioni kinez kreu në mënyrë të përsëritur lëvizje taktike për të “prekur” shkurtimisht vijën ndarëse dhe duke u rrotulluar përsëri në anën tjetër të Ngushticës të martën në mëngjes, ndërsa avionët tajvanezë ishin në gjendje gatishmërie aty pranë.

Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Punëve të Jashtme të Kinës nuk iu përgjigjën kërkesave për të komentuar mbi këto zhvillime.

Kina tha më herët gjatë të martës se Shtetet e Bashkuara do të “paguajnë çmimin” nëse Pelosi viziton Tajvanin gjatë udhëtimit të saj në Azi.

“Pala amerikane do të mbajë përgjegjësi dhe do të paguajë çmimin për minimin e interesave të sigurisë sovrane të Kinës”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Hua Chunying në një konferencë të rregullt për media në Pekin.

Kina e konsideron Tajvanin territor të saj dhe ka treguar përmes paralajmërimeve të përsëritura se do ta konsideronte vizitën e Pelosit si një provokim të madh.

Avionët e asnjërës palë normalisht nuk e kalojnë vijën ndarëse mes Tajvanit dhe Kinës.

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha të martën se zotëron plotësisht aktivitetet ushtarake pranë Tajvanit dhe do t’i dërgojë forcat në mënyrë proporcionale me reagimin ndaj “kërcënimeve të armikut”, derisa tensionet me Kinën rriten.

Ministria kishte “përforcuar” nivelin e saj të gatishmërisë luftarake nga e marta në mëngjes deri në mesditën e së enjtes, njoftoi Agjencia Qendrore e Lajmeve e Tajvanit, duke cituar burime të paidentifikuara.

Në qytetin juglindor kinez Xiamen, i cili shtrihet përballë Tajvanit dhe është një bazë madhe ushtarake, banorët raportuan se kishin parë automjete të blinduara në lëvizje dhe postuan fotografi në internet. Fotot ende nuk janë verifikuar nga Reuters.

Në mediat sociale kineze mbizotëronte frika, si nga konflikti i mundshëm, ashtu edhe nga entuziazmi patriotik mbi perspektivën e bashkimit me Tajvanin.

Që nga java e kaluar, Ushtria Çlirimtare Popullore ka kryer stërvitje të ndryshme, duke përfshirë ato me zjarr të drejtpërdrejtë, në detin e Kinës Jugore, Detin e Verdhë dhe Bohan.

Disa analistë ushtarakë rajonalë thonë se shtimi i dislokimeve në kohë tensionesh rrit rrezikun për aksidente, edhe nëse asnjë palë nuk dëshiron një konflikt aktual.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë