Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Çaushi, ka thënë se nuk kanë ndryshuar qëndrimin sa i përket demarkacionit, ai thotë se pavarësisht vizitës së zyrtares nga Bashkimi Evropian, qëndrimet e tyre janë po të njëjtat.
“Ne nuk mendojmë se është e drejtë që një populli t’i kushtëzohet lëvizja e lirë me falje të territorit. Themi falje për shkak se çdo e dhënë shkencore ka konstatuar një gjë të tillë, prandaj nuk ka asnjë ndryshim në situatën ose në aktualitetin e kësaj çështjeje pas kësaj vizite. Nuk është se ka diçka sinjifikative të re”, shprehet Çaushi për Radion Evropa e Lirë
Çaushi gjithashtu shtoi se secili deputet ka përgjegjësi, si ata në pushtet ose deputetet në opozitë, duhet të jenë në mbrojtje të integriteti të vendit.
“Deputetët duhet të jenë dhe unë besoj se do të jenë, të paktën të opozitës, dhe shpresoj edhe të tjerët, në nivelin e detyrës së tyre dhe të marrin qëndrimin e drejtë në përputhje me mandatin që u është dhënë nga qytetarët në mbrojtje të integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, thekson Çaushi.
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, u ka bërë thirrje partive politike që ta kenë të qartë se kur është fjala për interesat e popullit, siç është liberalizimi i vizave, ato duhet ta tejkalojnë debatin ndërpartiak dhe të gjejnë rrugën përpara./gazetametro.net