Loading…

Çeku: Kosova në terr për shkak të politikës

  • 26/01/2022 | 08:43

Çeku: Kosova në terr për shkak të politikës

Rehabilitimi i pesë blloqeve të termocentralit “Kosova A” mund ta nxjerrë Kosovën nga terri, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ish-ministri i Energjisë, Ethem Çeku.


Për krizën energjetike me të cilën po përballet Kosova, Çeku fajëson politikën. Sipas tij, sektori i energjisë kërkon një konsensus politik. Pa një konsensus të tillë, ai thotë se Kosova do të mbetet me linjit të bollshëm e të politizuar, pa ndërtimin e termocentraleve të reja dhe do të përballet me reduktime të ashpra të energjisë.

Kosova, sipas tij, këtë krizë energjetike nuk do ta kishte sikur ta zhvillonte projektin e Termocentralit “Kosova e Re”.

Kosova edhe këtë dimër po ballafaqohet me mungesë të energjisë elektrike. A ka pasur mundësi të evitohet ky problem?

Ethem Çeku: Po, ka mundur. Kosova ka 11 miliardë tonë linjit që ka mundur t’i fusë në përdorim, në zhvillimin e sektorit të energjisë. Fatkeqësisht, politikat e gabuara që janë bërë, kanë lënë 11 tonë linjit të papërdorshëm.

Sot Kosova, si një nga vendet më të pasura në botë në fushën e linjitit, duhet të blejë energji elektrike nga 500 euro për megavat, derisa kemi mundur të prodhojmë me 56-60 euro megavatin.

Këto janë politikat e gabuara që janë bërë nga qeveritë të cilët nuk e kanë lejuar zhvillimin e projektit të termocentralit “Kosova C”, dhe duke larguar katër konsorciumet e mëdha botërore të asaj kohe, të cilët kishin konkurruar për ndërtimin e blloqeve për ndërtimin e termocentralit “Kosova C”, që më vonë e ndërruan emrin dhe e bën “Kosova e Re”. Po ashtu e ndërruan edhe projektin në tërësi dhe kjo bëri që të largohen nga Kosova investitorët që ishin të fuqishëm.

Kosova humbi rastin që të ndërtojë termocentrale të reja, që në atë kohë kishin mbështetje edhe të Bankës Botërore dhe Komisionit Evropian. Banka Botërore ndau fonde, u dhanë garanci bankare për zhvillimin e sektorit të energjisë. Vendet e Bashkimit Evropian mbështetën zhvillimin e sektorit të energjisë në Kosovë. USAID bëri një punë të madhe, dërgoi ekspertët më të mirë të fushës së energjisë dhe u bë një ekip i jashtëzakonshëm për ndërtimin e termocentralit, por termocentrali nuk u ndërtua.

“Veprimet politike e dëmtuan Kosovën”

Kush mund të fajësohet për dështimin e këtij projekti?

Ethem Çeku: Po, zhvillimet politike që u bën më vonë e eliminuan ndërtimin e termocentralit dhe bën që Kosova të jetë një nga vendet më të varfra në fushën e energjisë. Investitorët nuk pranojnë lojëra politike në sektorin e energjisë. Veprimet politike e dëmtuan Kosovën.

Asnjë mandat qeveritar nuk mjafton për të zgjidhur problemin e sektorit të energjisë, prandaj kërkohet një qëndrueshmëri në projekt, kërkohet një politikë e përbashkët e Qeverisë dhe Parlamentit.

Energjia kërkon përkushtim, profesionalizëm dhe jo politikë. Nuk mund ta zhvillosh sektorin e energjisë, nëse nuk arrin një konsensus politik.

Pa një konsensus politik, sektori i energjisë do të mbetet me linjit të bollshëm, të politizuar skajshmërisht, pa ndërtimin e termocentraleve të reja dhe me reduktime të mëdha.

Shpresoj që kjo qeveri ta kërkojë konsensusin dhe të punojë me ekspertë.

Për 20 vjet, asnjë kapacitet në fushën e termos nuk është zhvilluar dhe u zhvilluan vetëm disa kapacitet tjera të vogla të energjisë së ripërtërishme. Prandaj kemi këtë situatë të vështirë dhe kjo situatë e vështirë do të vazhdojë edhe për shumë vite, nëse kjo Qeveri nuk e ndërton një koncept për daljen nga kriza.

“Energjia nuk duron paqe sociale”

Cili do të duhej të ishte ai koncept i Qeverisë për të dalë nga kjo krizë energjetike?

Ethem Çeku: Qeveria e re po vazhdon avazin e gabimeve që janë bërë nga qeveritë e kaluara, ku po intervenon me mjete financiare të kohëpaskohshme për të blerë paqen sociale. Energjia nuk duron paqe sociale, ajo kërkon investime dhe kërkon ekip të ekspertëve për të zhvilluar projektin.

Si të dilet nga kjo situatë?… Mendoj që duhet bërë një studim të thellë në blloqet e “Kosova A”, dhe të shohim a mund t’i rehabilitojmë ato, pasi Korporata Energjetike e Kosovës dhe qeveritë e kaluara kanë investuar në to.

Janë pesë blloqe të “Kosovës A”, të cilat po të kryhet një studim i cili konstaton se mund të bëhen investime, mund të bëjmë një zgjidhje të mirë, të qëndrueshme. Investimet tani duhet të jenë kapitale, jo improvizime.

Nëse investohet në blloqet e “Kosova A”, ne mund t’i kemi pesë blloqet në veprim që mund t’i kemi 800 megavatë energji elektrike vetëm nga “Kosova A”.

Po ashtu, ne duhet urgjentisht të investojmë në sektorin e minierës, sepse jemi në fazën e fundit të shfrytëzimit të minierës, prandaj duhet të hapen miniera të reja.

Plan strategjik për energjinë

A mendoni se mund të bëhen rehabilitime në termocentralin “Kosova A” dhe pastaj Kosova të dalë nga kriza energjetike? Termocentralet në Obiliq konsiderohen të vjetërsuara.

Ethem Çeku: Një studim është bërë në vitin 2005-2007, ku është thënë se mund të rehabilitohen. Ka studime që janë kryer edhe në kohën kur unë isha ministër. Studimet e atëhershme thoshin se mund të ketë rehabilitim, por te ne nuk ndodhi kjo. Ne nuk bëmë rehabilitim të thellë. Bëmë investime sot për nesër. Aty duhen investime kapitale. Rehabilitime ka bërë, për shembull, Bosnje e Hercegovina, por edhe vende tjera të rajonit.

Sa kohë mund të marrë dalja nga kriza energjetike në të cilën është Kosova?

Ethem Çeku: Nëse do të ndërtohet një plan strategjik i veprimit në periudhën afatmesme tre-katër vjeçare, Kosova mund të eliminojë problemin e energjisë. Nuk është situatë e zgjidhjes së shpejt. Po flasim sot për të vepruar që efektet të vijnë pas tre apo katër vjetësh.

Rehabilitimi i vetëm një blloku mori kohë me muaj. Ndërkaq, nëse shkojmë kështu hap pas hapi, duke dhënë mjete herë 50 milionë euro, herë 70 milionë herë, duke i shtrenjtuar çmimet e energjisë elektrike, kjo formë nuk e zgjidhë problemin e energjisë elektrike.

Investimet kapitale të orientohen në energji

Ku të sigurohen fondet për rehabilitimin e këtij termocentrali, kur dihet se mekanizmat financiarë ndërkombëtarë të Bashkimit Evropian nuk financojnë projektet për prodhimin e energjisë nga thëngjilli?

Ethem Çeku: Këto janë projekte të mëdha. Banka Botore nuk jep fonde, as shtetet e Bashkimit Evropian. Bankat e BE-së nuk ndajnë fonde për linjit, ne nuk kemi energji alternative. Sot, në këtë acar të madh nuk kemi erëra që fyejnë, energjia nga uji ishte orientim i gabuar në hidrocentrale, energjia solare është e vogël dhe nuk është bazë për zgjidhjen e këtyre problemeve, prandaj fondet duhet të gjinden brenda Kosovës.
Qeveria e Kosovës duhet t’i ndërpresë investimet kapitale në sektorë të tjerë dhe fondet t’i investojë në sektorin e energjisë.

Në Kosovë ka mjete financiare. Ndoshta duhet të marrim modelin norvegjez ku qytetarët mund të jenë aksionarë në zhvillimin e sektorit të energjisë elektrike, pasi depozitat në Kosovë janë mbi tre miliardë euro.

Nëse do të kemi një qeverisje të besueshme, qytetarët mund të derdhin mjete dhe të shndërrohen në aksionarë në blloqet që rehabilitohen.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, si zgjidhje ka dhënë ose reduktime të ashpra ose rritje të çmimit të energjisë. Si e komentoni këtë zgjidhje?

Ethem Çeku: Janë dy zgjidhje të vështira. Në këto temperatura të ulëta të ketë reduktim të energjisë, nuk bëhet. Po ashtu nëpër fshatra, por edhe në disa vende urbane, sistemi i ujit të pijes varet nga energjia. Kjo nuk është zgjidhje.

Edhe shtrenjtimi i faturave të energjisë nuk e zgjidhë problemin sepse nuk ka prodhim më tepër.

Ndoshta, duhet t’i krijohet hapësirë sektorit privat në fushën e energjisë, të shohin mundësinë edhe ata që të investojnë që të dalim nga kjo situatë.

Ka ardhur koha që Qeveria duhet të thërrasë ekspertë të brendshëm dhe të jashtëm dhe të krijojë një strategji dhe ajo është që të bëjë rehabilitimin e pesë blloqeve të Termocentralit “Kosova A”

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë