Loading…

Çështja Soros

  • Nga

  • BLERIM LATIFI

  • 06/07/2019 | 08:10

Çështja Soros

Ditëve të fundit po flitet shumë për Sorosin, miliaderin dhe filantropin e famshëm me origjinë hebreje. Po flitet shumë, por kam përshtypjen se publiku tek ne dhe në Tiranë është në konfuzion të plotë rreth kësaj çështje.


Në këtë tekst të shkurtër do të përpiqem të qartësoj disa gjëra themelore të politikës së George Sorosit, e cila mbështetet nga fondacionet e tij, gjithandej botës. Kjo politikë ka një prapavijë filozofike Ajo është filozofia e Karl Popper-it, njëri nga mendimtarët më të mëdhenj në filozofinë e shekullit XX. Popper njihet për vendosjen e dallimit midis shoqërive të hapura dhe shoqërive të mbyllura.

Një shoqëri e hapur është një shoqëri liberale, ndërsa shoqëritë e mbyllura janë shoqëri totalitare, në të cilat një autoritet i gjithëfuqishëm kontrollon dhe dirigjion gjithçka, vendimmarrjen publike, ekonominë, kulturën, madje edhe jetën e individit. Vepra e famshme e Popper-it, “Shoqëria e Hapur dhe armiqtë e saj” është një kritikë radikale e shoqërive të mbyllura, shëmbull të të cilave Popper i konsideron shtetet komuniste dhe ato fashiste, por edhe shtetet ku dominojnë variantet tjera të nacionalizmit autoritarist.

Nisur nga kjo perspektivë filozofike, Sorosi gjithandej botës ka financuar projekte në të cilat kritikohen këto ideologji dhe inkurajohen ideologjitë e kundërta me to, që rëndom janë variante të liberalizmit.
Ta marrim vetëm rastin e Shqipërisë, pas rënies së komunizmit. Fondacioni i Sorosit në ato vite financonte projekte dhe botime të literaturës filozofike, sociologjike e historiogafike, në të cilat nuk kritikohej vetëm ideologjia komuniste, por njëkohësisht edhe idetë nacionaliste. Sulmet e para mbi nacionalizmin shqiptar dhe mitet e tij të identitetit, sidomos mbi mitin nacional të Skënderbeut, nuk kanë ardhur nga salafistët dhe neootomanistët, por nga intelektualët e paguar prej fondeve të Sorosit, siç ishin Fatos Lubonja, Piro Misha, dhe tanimë i ndjeri, Adrian Klosi. Natyrisht, këta nuk kanë qenë të vetmit.

Kritika radikale dhe e pabalancuar që këta zhvillonin kundër nacionalizmit shqiptar, çonte logjikisht në mentalitetin ksenocentrist, i cili nënkuptonon zhvillimin e kompleksit të inferioritetit në raport me kulturat e huaja: gjithçka tëndën e konsideron të pavlerë, ndërsa vlerat e vërteta i sheh në kulturat tjera. I vetmi intelektual i rëndësishëm, që në atë kohë i kundërvihej mentalitetit ksenocentrist të sorosianëve të Tiranës, ishte Kadareja, i cili, nga të njëjtit, nuk u kursye duke u akzuar si nacionalromantik, etnocentrist, shkrimtar i mitologjisë komuniste e mitologjisë nacionaliste. Ndërkaq, përgjegjja e Kadaresë ishte legjendare : nuk mund të jesh komsopolitan ( qytetar i botës), duke nënçmuar e urryer identitetin tënd nacional. Rasti i Shqipërisë është edhe një shëmbull që tregon se si idetë e mira mund të keqkuptohen dhe rrjedhimisht të prodhojnë pasoja të këqija.

Edhe sot paratë e Sorosit konsiderohen si të rrezikshme prej të gjitha atyre grupeve e partive politike që ideologjikisht mbështetën mbi politika të identitetit nacional. Këto grupe e parti zakonisht i takojnë spektrit politik të djathtë. Rasti më tipik për këtë është Hungaria nën udhëheqjen e kryeministrit aktual Viktor Orban.
Për fund, një sugjerim: duhet lexuar Karl Popper-i, në mënyrë që të mund të kuptohet politika e George Sorosit. Në të kundërtën është rreziku i rënies në lajthitje komplotiste, të cilat mund të përfundojnë në ndonjë variant bashkëkohor të antisemitizmit.

Dikur komunistët dhe nazistët bashkoheshin në një pikë: në urrejtjen e përbashkët për kapitalistin çifut. George Sorosi është i tillë: hebre dhe miliarder./gazetametro.net

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë