Loading…

Çfarë shkruante Anton Pashku, kur ende s’kishte mbushur 20 vjeç?

  • 01/04/2021 | 16:30

Çfarë shkruante Anton Pashku, kur ende s’kishte mbushur 20 vjeç?

Anton Pashku lindi më 8 janar 1937 në Grazhdanik (fshat afër Prizrenit). Nënën, Getën, e kishte nga Zymi, kurse babain, Tonin (bukëpjekës), nga Karashëngjergji (fshat pak më larg Zymit, rrëzë Pashtrikut).


Kishte kryer shkollimin e mesëm, Gjimnazin real në Prishtinë. Gjithë kohën punoi në Rilindje, njëherë gazetar, pastaj redaktor i rubrikës së kulturës e në njëzet vitet e fundit, redaktor në Shtëpinë Botuese Rilindja.

Shkrimet letrare filloi t’i botojë që nga viti 1955. Shkroi prozë dhe drama të ndryshme. Vdiq në Prishtinë, më 31 tetor 1995.

Në tregimet e Anton Pashkut dallohen tri qarqe themelore tematike; ai i temës së dashurisë, i vetmisë, të kërkuar dhe të kushtëzuar nga një totalitarizëm dhe, qarku tematik për dhunën mbi individin.

Tregimet e tij antologjike janë: ‘Nën qarr po rrinte vasha’, ‘Floçka’, ‘Kulla’, ‘Si e përshkroi ëndrrën e vet njeriu me kapelë’, ‘Dy fjalë për një plak dhe librin e tij kushtuar tymit’, ‘Kënaqësitë e Megalopolisit’, ‘Anija e dehur’.

Me vlerat e veta të pakontestueshme artistike, romani ‘Oh’ ka bërë një ndikim të ngadalshëm, por të fortë në prozën shqipe, që nga koha e shfaqjes së tij. Dramat e Pashkut, ‘Sinkopa’ e ‘Gof’ janë luajtur në Teatrin e Kosovës, në Teatrin ITD të Zagrebit, në Teatrin e Shkupit dhe në teatro të tjera të shqiptarëve.

Vepra e tij letrare, është bërë vlerë kulturore kombëtare dhe tashmë është materie që mësohet në të gjitha nivelet e shkollave shqipe, ku ligjërohet letërsia bashkëkohore shqipe.

Po për çfarë shkruante dhe si shkruante Anton Pashku, kur ende nuk i kishte mbushur të njëzetat?

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, po sjellim dy tregime (poetike), që së bashku mund të përfshihen vetëm brenda një faqeje libri.

Fjala është për tregimet “Në stuhi” dhe “Klithma”, që të dyja botuar në vitin 1957. Në të dy rastet bartësit e ngjarjes janë maksimalisht të reduktuar.

Anton Pashku sjell një frymë krejtësisht moderne në traditën e prozës shqiptare. Çështja bosht në rrëfimin romanor të Anton Pashkut është veçanërisht vetëdija e autorit për pozitën e tij dhe perspektiva e synimit të këtij rrëfimi.

Rrëfimtari e nis udhëtimin nga një kohë e pacaktuar që gjatë ecjes fiton peshën e një vatre të gjallë dhe jehona e reflekseve të së kaluarës shfaqet si përsërítje e pafund e dramës sonë kombëtare. Ky vizion i fuqishëm dhe largpamës i veprës së Pashkut që përbën tharrmin krijues të tij, realizohet përmes strukturimit të nëntekstit ironik të rrëfimit.

Kjo gjë e nxit dhe e motivon parreshtur lexuesin që ta kërkojë atë që nuk thuhet, atë që duke heshtur, e bën lexuesin të jetë zëri kryesor. /konica / GazetaMetro

Më të fundit
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë