Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, do të vazhdojë të qëndrojë në Francë edhe për më shumë se një muaj, pasi gjykata atje ka vendosur të shtyjë vendimin deri në gjysmë të muajit prill.
Siç ka shpjeguar edhe vetë Haradinaj sot, ende saktësisht nuk dihet se kur pritet përfundimisht vendimi për lirimin apo eventualisht ekstradimin në shtetin Serb.
Pas këtij vendimi nisën edhe reagimet nga bashkëpartiakët e tij, kolegët deputetë, shoqëria civile por edhe nga shumë qytetarë.
Gazeta Metro ka realizuar biseda të shkurtra me një numër qytetarësh në sheshet e Prishtinës, dhe nga ta ka marrë mendimet rreth mbajtjes së Haradinajt në Francë.
Disa prej tyre janë shprehur të indinjuar dhe tejet të dëshpëruar më atë së çfarë po i ndodh ish kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinajt.
E quajnë të turpshme dhe se ky vendim është politik dhe aspak juridik.
Gjithashtu ka pasur nga ata qytetarë që kanë shprehur dyshimin se kush po qëndron pas gjithë kësaj që po i ndodhë liderit të AAK’së. Ndërsa kishte edhe zëra që thanë “nëse Haradinaj ka bërë diçka keq ia paftë hajrin asaj, por nëse jo atëherë sigurisht që do jetë i lirë”.
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, është ndaluar nga policia franceze më 4 janar, në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga Serbia përmes Interpolit në vitin 2004.
Gjykata franceze, në seancën e mbajtur më 9 shkurt, nuk vendosi përfundimisht për këtë rast, duke e lënë Haradinajn nën masën e lirimit me kusht dhe duke e shtyrë vendimin për datën 2 mars. Ndërsa sot gjykata shtyri sërish vendimin deri në gjysmë të muajit prill. /gazetametro.net