Loading…

Çfarë u bëni grave tuaja, ju i bëni kombit tuaj

  • Nga

  • VALERIE M. HUDSON

  • 07/03/2020 | 20:25

Çfarë u bëni grave tuaja, ju i bëni kombit tuaj

Gjinia nuk është thjesht një interes njerëzor dytësor në krahasim më politikën e lartë.


Nga Valerie M. Hudson

Në 1995, Konferenca Botërore e UN për Gratë në Pekin, lansoi idenë se fati i kombeve ishte i lidhur me statusin e grave të tyre qytetare. Në vitin 2000, Rezoluta 1325 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara pohoi se paqja është e lidhur pazgjidhshmërisht me barazinë gjinore.

Këtë vit, ndërsa i afrohemi përvjetorit të 25-të të konferencës dhe 20-vjetorit të rezolutës, hulumtimi veçse ka theksuar edhe më shumë se ajo që u tha atëherë, vlen edhe sot: Dhuna ndaj grave dhe nënshtrimi i grave nuk janë thjesht probleme të shtëpisë dhe familjes. Tani e dimë, për shembull, se përhapja e dhunës ndaj grave në një vend mund të jetë një indikator i një tendencë kombëtare drejt terrorizmit dhe konfliktit civil. Kjo është arsyeja pse 83 vende kanë hartuar plane kombëtare veprimi për gratë, paqen dhe sigurinë.

Përpjekje të mëdha janë bërë për gratë që nga viti 1995. Në nivel global, vdekshmëria maternale është ulur të paktën 45 përqind, regjistrimi për djem dhe vajza në shkolla fillore është në barazi virtuale, dhe përqindja e grave të përfaqësuara në legjislaturat kombëtare ka kaluar dyfishin.

Këto të arritura nuk janë të papërziera: Ulja e vdekshmërisë maternale vjen kryesisht si rezultat i të arriturave të një vendi, Kinës; vajzat mbeten pas djemve në mbarimin e shkollës fillore; dhe gratë mbushin vetëm afërsisht 24.5 përqind të vendeve të parlamenteve, me disa organe që ende nuk kanë asnjë grua si përfaqësuese. Por prapëseprapë, përparim i matshëm.

Në të njëjtën kohë, ne gjithashtu shohim indikacione shqetësuese se të këqijat e vjetra po bëjnë një rikthim. Pavarësisht nëse flasim për përpjekje për të ndaluar pothuajse të gjitha abortet, qoftë edhe në rastin e dhunimit apo incestit, këtu në Shtetet e Bashkuara, apo debate rreth legalizimit të poliginisë në Azinë Qendrore, apo se në 2015 trefish më shumë kombe parapëlqenin të kenë si fëmijë djem në krahasim me para 20 vitesh – qartë shihet se bota nuk mund të shpresojë në një përparim të vazhdueshëm apo të palëkundur për gratë. Për më tepër, disa dëmtime duken të përjetshme, si dhuna në familje, ngacmimi seksual dhe trafikimi i seksit.

Gjersa mund të jemi të tunduar t’i shohim të gjitha këto si të një rëndësie më të vigël në krahasim me politikën e lartë botërore, asgjë nuk mund të jetë më larg nga e vërteta. Në fakt, është koha të themi përsëri atë që u tha në Pekin një çerek shekulli më parë: Fati i kombeve është i lidhur me statusin e grave. Në një studim të ri, bashkëautorët e mi dhe unë demonstrojmë se pothuajse çdo dimension i sigurisë kombëtare është i ndërlidhur me faktin se sa gratë janë të nënshtruara ose fuqizuara brenda shoqërisë së tyre. (Duhet theksuar se këte studim e ka financuar Departamenti i Mbrojtjes në mënyrë që të parashikonte më mirë instabilitetin jashtë vendit – një shenjë që të paktën disa persona në institucionet e sigurisë kanë filluar t’i marrin seriozisht këto ndërlidhje).

Ne kemi zbuluar se praktikat nëpër familje në shumë vende i nënshtrojnë gratë edhe kur ato janë të arsimuara, edhe kur ato janë të punësuara, edhe kur ato shërbejnë në qeveri. Një nga bisedat më të rëndësishme që kam pasur ndonjëherë ishte me një anëtare femër të legjislaturës afgane, loya jirga. Ajo kishte arsimim universitar dhe kishte një karrierë – dhe prapëseprapë, ajo pyeste sa e fuqishme ishte në të vërtetë, kur burri i saj mund ta divorconte thjesht duke e thënë këtë me fjalë dhe ajo do të humbiste kujdestarinë e fëmijëve të saj dhe nuk do të kishte ku të jetonte?

Padyshim na befason që gratë saudite arrijnë shifra të njejta sa i përket arsimit universitar sikurse gratë gjermane, mirëpo ende janë të nënshtruara ndaj një kontrolli mashkullor mbi disa aspekte të jetës së tyre. Ose që Ruanda ka shifrat më të larta të pjesëmarrjes së grave në fuqinë punëtore, si dhe përqindjen më të lartë të grave në parlamentin kombëtar në botë, edhe pse e drejta familjare dhe të drejtat pronësore, shpesh udhëhiqen nga traditat që favorizojnë burrat.

Kjo do të thotë që ne duhet të shqyrtojmë gjërat që i kufizojnë gratë në shtëpitë e tyre, në jetën e tyre personale – nivele të larta dhune ndaj grave dhe pandëshkueshmëri për sulmuesit, mungesë e të drejtës në pasuri dhe trashëgimi, ligje që favorizojnë burrat në rastet e divorcit dhe kujdestarisë së fëmijëve, poliginia, çmimet e nuseve, pajët. Këto praktika e vendosin rendin e parë politik të çdo shoqërie. Struktura e marrëdhënies midis dy gjysmave të njerëzimit është baza për rendin politik të çdo kombi, dhe nëse ai rend lejon autokracinë, dhunën dhe zhvatjen, kombi gjithashtu do të orientohet në ato drejtime.

Kjo nuk është filozofike, kjo është praktike. Studimet dëshmojnë se burrat që mendojnë se gratë janë inferiore kanë më shumë të ngjarë të përfshihen në dhunë politike. Ata gjithashtu kanë shumë më shumë gjasa të jenë armiqësorë ndaj minoriteteve dhe të huajve. Nëse qeverisja në familje bëhet nën urdhëra mashkullore, nuk është çudi që edhe qeveria të jetë autokratike, joefektive dhe e korruptuar. Familja është terreni i trajnimit: Burrat janë të trajnuar në ato praktika, të cilat do t’i përdorin kur të fitojnë pushtet shoqëror.

Shoqëritë që nënshtrojnë gratë gjithashtu e gjejnë veten të kurthuara nga destabilizimi kronik i shkaktuar nga praktikat që prodhojnë atë nënshtrim. Nëse aborti në bazë të përzgjedhjes së gjinisë së fëmiut ka zvogëluar 12 përqind të 15 përqind të femrave në një shoqëri, siç ka ndodhur në Kinë dhe Indi, pason paqëndrueshmëria kombëtare. Kur çmimet e nuseve kalojnë janë të larta, grupet terroriste zbulojnë se mund të fitojnë rekrutë duke premtuar para për çmimet e nuseve dhe madje duke premtuar edhe nuse për të rinjtë.

Si përmbledhje, ligji i rendit të parë politik është ky: çfarë u bëni grave tuaja, i bëni kombit tuaj.

Duke ekzaminuar 122 variabla që indikojnë nëntë dimensione të sigurisë kombëtare duke përfshirë qeverisjen, konfliktin, performancën ekonomike, shëndetësinë dhe ruajtjen e mjedisit, bashkëautorët e mi dhe unë kemi zbuluar se rendi i parë politik tregon signifikancë të lartë dhe shfaq fuqinë më të madhe ose të dytë më të madhe shpjeguese për rezultatet.

Pra, po, me të gjitha mjetet, krijoni një Zyrë për Fuqizimin Global të Grave në Departamentin e Shtetit, siç ka bërë legjislacioni i fundit. Por ka shumë më tepër për të bërë, dhe fillon në shtëpi. Lista e detyrave përfshin refuzimin për të gërryer të drejtat e fituara riprodhuese të grave dhe sigurimin që gratë mund të kombinojnë riprodhimin dhe prodhimin. Do të thotë gjithashtu të refuzoni të ridefinoni praktikat nënshtruese të nivelit shtëpiak, siç është poligamia si thjeshtë një zgjedhje tjetër e mënyrës së jetesës, si dhe të kuptoni dhunën në familje për atë që është në të vërtetë – një formë e terrorizmit e cila duhet të trajtohet si e tillë përmes ligjit.

Mallkoni gratë tuaja dhe ju po e mallkoni kombin tuaj. Dhe po e mallkoni botën tonë me të gjithë paqëndrueshmërinë e shkaktuar si rezultat.

(Valerie M. Hudson është profesoreshë dhe bashkautore e librit “Rendi i Parë Politik: Si Seksi formon Qeverisjen dhe Sigurinë Kombëtare në botë”).

Përktheu Lujeta Aliu.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë