Loading…

Çka bëri Milot Rashica sonte për 25 minuta: Para se të shënonte, humbi një rast shumë të volitshëm

  • 28/01/2023 | 20:10

Çka bëri Milot Rashica sonte për 25 minuta: Para se të shënonte, humbi një rast shumë të volitshëm

Anësori i Kombëtares së Kosovës, Milot Rashica sonte shënoi golin e tij të parë me fanellën e Galatasaray në kampionatin turk. Megjithatë, para se të realizonte këtë gol ai lëshoi një mundësi shumë të mirë përballë portierit Onurcan Piri, shkruan Gazeta Metro.


Futbollisti nga Vushtrria nuk po kalonte momente shumë të mira javët e fundit me ç’rast trajneri Okan Buruk vendosi që ai të mos luante nga fillimi.

Në ndeshjen ndaj Giresunspor që Galatasaray e fitoi me rezultat të thellë 0-4, në vend të Rashicës nga minuta e parë u inkuadrua Baris Alper Yilmaz. Ky i fundit nuk është se bëri ndonjë paraqitje për t’u duartrokitur.

Në minutën e 70’të erdhi koha për 26-vjeçarin kosovar që për 25 minuta arriti të bëhet protagonist. Ai realizoi golin e tretë dhe kishte rolin krucial në golin e katërt.

Por, para së gjithash ai lëshoi një mundësi të artë në minutën e 79’të. Pas një kundërsulmi të shpejtë të mysafirëve, Rashica mori një top fantastik nga Mauro Icardi, derisa edhe më fantastik ishte driblimi që i bëri kundërshtarit.

Pas kësaj ai doli përballë portierit vendas që ndali me këmbë goditjen e tij jo shumë të mirë nga afërsia, shkruan Gazeta Metro.

Nuk kaloi shumë kohë dhe Rashica përmirësoi gabimin e tij, duke shënuar para tifozëve të Galatasaray që kishin udhëtuar masovikisht për të përkrahur skuadrën e tyre të zemrës që këtë sezon po shkëlqen në Superligën e Turqisë.

Anësori kosovar ‘rrëmbeu’ një top nga mbrojtësit kundërshtar dhe doli në rast pothuajse të ngjashëm si para disa minutave, por këtë herë nuk kishte si të gabonte.

Për të kompletuar një paraqitje të mrekullueshme u përkujdes në sekondat e fundit të takimit.

Topi i harkuar nga ana e tij brenda zonës ishte vendimtar që të përfitoi anësori turk, Yunus Akgun, i cili sikurse Rashica sonte shënoi golin e parë këtë sezon në elitën e futbollit turk.

Kujtojmë se Milot Rashica është i huazuar nga Norwich City që zotëron ende kartonin e tij. Por, kohëve të fundit mediumet turke kanë raportuar vazhdimisht që drejtuesit e Galatasaray po tentojnë që gjatë verës ta transferojnë atë në mënyrë permanente. /gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë