Loading…

Çka fiton dhe çka humb Kosova në rast të shkëmbimit?

  • Nga

  • ARTON MUSLIU

  • 02/09/2020 | 11:44

Çka fiton dhe çka humb Kosova në rast të shkëmbimit?

Kërkesës së Serbisë për pozitën politike të serbëve në Kosovë, Kosova duhet t’i përgjigjet me kërkesën për trajtimin ekuivalent dhe simetrik të shqiptarëve në Serbi. Në të kundërtën, trajtimi asimetrik i këtyre dy entiteteve etnike çon në zgjidhje tjera jo konvencionale.  


Shkruan: Arton Musliu

Stereotipet të cilat janë saju në shqërinë kosovare kan dogmatizu tejmase secilin prej nesh. Parimet tabu dhe pragmatizmi ekstrem kan shkaktu relacione jo racionale. Ato duhet të reduktohen sipas racionalitetit politik, filozofik e sociologjik. Parimet tabu duhet të reduktohen në parime sepse si të tilla ato janë të debatueshme, të diskutueshme e të interpretueshme, ndërkaq pragmatizmi ekstrem duhet të reduktohet në pragmatizëm liberal. Parimet pa pragmatizëm shndërrohen në dogma. E dogma është drogë. Prandaj, ne duhet të çlirohemi nga dogma. Praktikisht në kontekstin tonë aktual politik kjo manifestohet nëpërmjet stereotipit: integriteti territorial i Kosovës është i pacënueshëm, e sovraniteti shtrihet në tërë territorin e Republikës! Ndërkohë që për çdo ditë ky integritet e ky sovranitet cënohet në të dyja anët e Kosovës. Kjo është hipokrizi e demagogji, përveç se papërgjegjësi.

Në fakt, janë disa pyetje së cilave ne ende nuk i kemi dhënë përgjigje.

Pse shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk duhet të bashkohen me Kosovën përmes ridefinimit

të kufijve me Serbinë?!

Pse duhet të gozhdohet ai që shpreh dhe mbështet bashkimin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës me Kosovën?!

Pse ata shqiptarë nuk duhet t’i bashkohen Kosovës?!

Duke u barikaduar kështu, a po i shndërrojmë ata në qytetarë të dorës së dytë?!

Pse shteti dhe shoqëria jonë duhet të vazhdojnë të shikojnë imazhin iluziv të plotfuqishmërisë sonë gjithandej?!

Si mund të jesh edhe patriot e edhe kundër bashkimit të bashkëkombasve të luginës me Kosovën?! Pse të mos e shqyrtojmë, diskutojmë e debatojmë si shoqëri normale shkëmbimin?!

Shkëmbim të territoreve ka pasur përgjatë historisë. Një i tillë ka ndodhur në mes të Austrisë dhe Bavarisë sipas marrëveshjes së 14 prillit të vitit 1816. Kështu Austria në shkëmbim të rajoneve të Haus- ruckviertel dhe Innviertel me mbi 200,000 banorë dha rajonin e Mount Tonnere që në vitin 1812 kishte mbi 300,000 banorë dhe qytetin e vogël e Landau-t bashkë me kala. Por, shkëmbime të tilla hasim edhe në ditët e sotme. Në mesin e vitit 2015, India dhe Bangladeshi arritën një marrëveshje historike duke u pajtuar që bengalët që jetonin në enklavat e tyre në Indi dhe hindusët që ishin në enklavat e tyre në Bangladesh të bëhen pjesë e shteteve të tyre rrespektive, duke shkaktuar kështu ndryshime territorilale dhe kufitare. Madje, një marrëveshje e tillë ka mundësuar paqë pas shumë dekadave tension e konflikt. Të tilla ndërmarrje kan ndodhur në fillim të këtij viti edhe ndërmjet Kirgistanit dhe Taxhikistanit, në regjionin kufitar Batken, apo ndërmjet Belgjikës dhe Holandës, katër vite më parë. Të gjitha këto marrëveshje janë bërë në mënyrë paqësore dhe me pajtimin e palëve rrespektive.

Në anën tjetër nuk mund të sillemi indiferent edhe ndaj shkëmbimeve masive që kan ndodhur, të mbështjellura shpesh me petkun e dhunës dhe shtrëngimit në mes të hindusëve dhe myslimanëve me ç’rast katërmbëdhjetë milion njerëz lëshuan shtëpitë e tyre, turqëve e grekëve apo sllovakëve e hungarezëve. Pa harru asnjëherë potencialin eksplodues që mund të ketë një gjë e tillë në rajon.

Sepse duke qenë se kemi të bëjmë me Serbinë, ne nuk duhet të harrojmë asnjëherë politikat hegjemoniste të saj karshi Kosovës. Në një situatë hipotetike të shkëmbimit të territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë problem në vete paraqet përcaktimi i hapësirave, apo zonave ku do të mbahet referendum, nëse veç mbahet një i tillë. Probleme të tilla janë hasur edhe në referendumin e Schleswigut. Prandaj, duke pas parasysh dinamikat ndërkombëtare dhe pozicionin tonë në relacionet e reja euroatlantike, për Kosovën është shumë e rëndësishme përmbyllja sa më e shpejtë e marrëveshjes finale me Serbinë.  Në këtë proces, si edhe në çdo proces tjetër, roli i SHBA- së është krucial, i pazëvendësueshëm.

Shqetësimet kryesore në lidhje me atë se çka humb Kosova lidhen me pasuritë e Trepçës dhe Liqenin e Ujmanit. Në të vërtetë, sipas një studimi të RIDEA- s, të vitit të kaluar, Trepça përbëhet prej 15 zonave minerare ku vetëm 4 prej tyre janë aktive dhe në funksion. Minierat aktive dhe në funksion përbëjnë 50 % të të gjithë rezervave gjeologjike të Trepçës.

Dy prej këtyre zonave (minierave), janë Belo Bërdo dhe Cërnac, të cilat gjenden në Leposaviç në kufirin me Serbinë. 77 % të depozitave të Minierës së Belo Bërdo-s gjenden në territorin e Serbisë dhe 23 % në territorin e Kosovës. Ndërkaq, 58 % të depozitave të Minierës së Cërnac -it gjenden në territorin e Serbisë dhe 42 % në territorin e Kosovës. Ventilimi dhe pajisjet e ujit, të këtyre minierave, gjenden në Serbi. Këto miniera nuk kan qenë dhe ende nuk janë nën autoritetin e institucioneve kosovare që nga paslufta. Ato menaxhohen dhe kontrollohen nga serbet të cilët janë autonom në ushtrimin e veprimtarisë së tyre.

Ndërkohë që miniera e Stantërgut dhe Artanës gjenden nën kontrollin dhe autoritetin e institucioneve kosovare. Përkitazi me Ujmanin mund të thuhet se është aset i rëndësishëm për ekonominë e Kosovës i cili gjendet në masën më të madhe në territorin e Republikës së Kosovës. Në anën tjetër, në rast të një shkëmbimi territorial si pjesë e marrëveshjes finale me Serbinë, për Kosovën do të lindnin rrethana krejtësisht të të reja.

Kosova do të përmbyllte procesin e subjektivitetit ndërkombëtar të saj përmes njohjes reciproke, duke u bërë anëtare e OKB- së dhe duke nis rrugën për anëtarësim në BE, NATO e organizata tjera ndërkombëtare. Përndryshe, tani për tani kështu siç jemi, Kosova nuk ka njohje të reja, por ka tërheqje të njohjeve, kemi tentime për anëtarësime në organizma e organizata ndërkombëtare por nuk kemi sukses, nuk kemi sovranitet funksional por kemi ndëryhrje të Serbisë në veri dhe verilindje.  Thjesht, nuk kemi përspektivë.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të bëhej i panevojshem. Kosova tashmë ka përbrendësu juridikisht asociacionin e komunave me shumicë serbe. Si i tillë ky asociacion është kategori kushtetuese. Ky asociacion, në mënyrën se si është saju, me potencialin centralizues që ka, me pikën referuese që mendohet se do ta ketë në veri dhe me pretendimet politike serbe për organizim autonom në Kosovë, do të thotë luftë për gjeneratat e ardhshme.

Do të përmbyllte një cikël njëqind vjeçar konfliktesh e luftërash me Serbinë. Dhe një gjë e tillë nënkupton mundësinë reale të secilës qeveri të vendit për të punu me kapacitete të plota në politikat e brendshme në të gjitha sektorët. Prandaj, një marrëveshje finale me Serbinë do të zhvendoste përqëndrimin tek problemet reale dhe të përditshme të qytetarëve.

Jeta e shqiptarëve të Luginës së Preshevës do të ndryshonte pakthyeshëm. Kësisoji, ata do të bashkoheshin me Kosovën dhe do të ndiheshin qytetarë të lirë dhe të sigurt në shtetin e tyre.

Trendi asimilues dhe zbehja e vazhdueshme e identitetit kombëtar shqiptar të shqiptarëve të Luginës së Preshevës do të ndalej. Një trend të tillë tashmë po e shohim në shqiptarët e Malit të Zi, përfaqësuesit e të cilëve mund të jenë vendimtar në krijimin e qeverisë së re pro perëndimore apo pro serbe. Dukuri të tilla janë hasur edhe te sllovakët në Hungari apo kuebekasit në Kanada.

Kufizimet juridike dhe konstitucionale do të mund të revidoheshin. Aktualisht Kosova është Finlanda e Ballkanit. Ashtu siç finlandezët kan përbrendësu entitetin suedez atje, në të njëjtën mënyrë Kosova është peng i të drejtave të dyfishta të komuniteteve jo shumicë. Prandaj, një marrëveshje finale eventuale në të cilën do të përfshihej edhe shkëmbimi, do të krijonte mundësi të ndryshimit të kornizës juridike përkitazi më këto të drejta.

Kosova do të fitonte stabilitetin mbi të cilin mund të zhvillohet. Aktualisht ky nuk është rasti.

Duke e zgjidhur përfundimisht konfliktin njëqind vjeçar me Serbinë, do të krijohen rrethana të reja për një afrim dhe bashkëpunim më intenziv e më dinamik më Shqipërinë.

(Autori është njohës i çështjeve juridike, botues i dy librave universitare nga shkencat juridike)

 

 

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë