Loading…

Çka na pret pas zgjedhjeve të 14 shkurtit?

  • Nga

  • 15/01/2021 | 20:27

Çka na pret pas zgjedhjeve të 14 shkurtit?

Fati i shqiptarëve të Kosovës dhe i Kosovës si shtet i pavarur, është definuar një herë e përgjithmonë. Nuk ka zgjedhje as votime që do ta ndryshojnë këtë fat.

Shkruan: Blerim Shala

Çka do të kemi me 14 shkurt të këtij viti?

Në Kosovë atë ditë do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të pestat që prej se me 17 shkurt të vitit 2008-të, Kosova u shpall shtet i pavarur, të tretat që nga viti 2017-të.

Asnjëherë në Kosovë nuk kemi pasur zgjedhje të rregullta parlamentare. Ky fakt flet shumë sa i përket stabilitetit të politikës kosovare.

Sipas të gjitha gjasave, këto zgjedhje do të jenë më të rëndësishmet që prej se Kosova është bërë shtet i pavarur.

Janë një mori shkaqesh dhe arsyesh që spikasin një cilësim të kësisojt të votimeve që do të bëhen në muajin shkurt.

Shkaku i parë është një konstatim fare teknik por që ka peshë shumë të veçantë në këtë rast. Me zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, kësaj here do të përcaktohet jo vetëm përbërja e Kuvendit të Kosovës (të legjislacionit të tetë në historinë e demokracisë parlamentare), e 120 deputetëvë të tij, dhe jo vetëm Qeveria e re dhe Kryeministri i saj (kjo do të jetë Qeveria e nëntë në demokracinë kosovare), por edhe Presidenti i ri i Kosovës (ky apo kjo do të jetë Presidenti i pestë në historinë e re të Kosovës).

Pra, do të kemi një rrumbullakësim të plotë formal të pushtetit qendror në Kosovës, prej deputetëve, ministrave, Kryeministrit dhe Presidentit të vendit.

Shkaku i dytë përkon me kahjen që ka marrë tash e gati katër vjet politika kosovare, me rënien/ rrëzimin/ dorëheqjen e katër Qeverive të Kosovës, me krizën e vazhdueshme parlamentare, me pamundësinë e funksionimit të duhur të pushtetit qendror, me përplasjet e vazhdueshme vendore, të cilat në dy vitet e fundit patën edhe atë aspektin apo dimensionin e njohur ndërkombëtarë, me marrëdhënien e lëkundura dhe të dëmtuara të Kosovës me SHBA-të dhe me BE-në.

Shkaku i tretë lidhet me obligimet, detyrat dhe përgjegjësitë e mëdha të cilat i presin deputetët, ministrat, Kryeministrin dhe Presidentin e vendit tash e tutje, apo, pas këtyre zgjedhjeve.

Këto obligime dhe detyra pos tjerash, janë rezultat i vetë-paralizimit të pushtetit qendror në pesë vitet e fundit, që prej se ia lidhëm vetes duartë dhe këmbët në trajtimin e temës së një Marrëvshjeje ndërkombëtare (për shenjimin e kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi).

Në mesin e këtyre përgjegjësive të autoriteteve të re qendrore të Kosovës, gjithsesi do të jetë edhe dialogu i Kosovës dhe Serbisë, i cili aktualisht është në nivelet më të ulëta të popullaritetit të tij, (për një mori arsyesh të cilat kërkojnë një studim të veçantë politik), teksa ky dialog është i pashmangshëm dhe i domosdoshëm, kur dihet se pa te, apo, pa një Marrëveshje Gjithpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë si dy shtete të pavarura, nuk mund të ketë përmbyllje të një kontesti të gjatë historik dhe politik në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe në mes të shqiptarëve dhe serbëve.

Për më shumë, siç e dinë të gjithë ata që i kanë këmbët në Tokë, (pse është kështu, kjo është një çështje në vete, por këtu pak ose hiç nuk kemi pasë ne hise dhe rol), stabilizimi afatgjatë vendor dhe ndërkombëtar i Kosovës nuk është i mundur pa e bërë këtë Marrëveshje.

Rrugëtimi i Kosovës kah anëtarësimi në Aleancën Veri-Atlantike dhe në BE, është drejtpëdrejtë i varur nga kjo Marrëveshje. Gjithashtu, edhe gjasat për tu bërë shtet anëtar në OKB dhe në të gjitha organizatat e tjera ndërkombëtare, do të shtohen në mënyrë thelbësore në këtë rast.

Kosova nuk përfiton gjë që nga Status Quo dhe vendnumërimi i gjashtë viteve të fundit.

Në këtë kontekst, me Administratën e re amerikane të Presidentit Biden (i cili do të betohet me 20 janar si Presidenti i 46-të i SHBA-së), do të mëkëmbet ai parneriteti trans-atlantik në mes të Amerikës dhe Evropës, gjë që patjetër do të ketë pasoja edhe sa i përket dialogut të Prishtinës dhe Beogradit.

Nuk ka kurfarë dyshimi që Washingtoni, Brukseli, Berlini dhe Parisi do të intensifikojnë tej mase përpjekjet e tyre që të ndihmojnë në mënyrë thelbësore arritjen e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë si dy shtete.

Emërimet e propozuara të Presidentit Biden për postet më të rëndësishme politike, diplomatike dhe të sigurisë në Administratën e tij, janë gjithsesi inkurajuese në këtë aspekt.

Të gjithë këta të nominuar janë njohës të jashtëzakonshëm të rrethanave në Evropë dhe në Ballkan, dhe kanë përvojë shumë të veçantë në marrëdhëniet në mes të SHBA-së dhe Federatës së Rusisë.

Zatën, Marrëveshja eventuale në mes të Kosovës dhe Serbisë, ka edhe atë dimensionin e njohur gjeo-politik dhe gjeo-strategjik, sepse do të duhej të ketë, si efekt anësor të tij (por me rëndësi domethënëse), dobësimin e rolit rus në Ballkanin Perëndimor.

Shkaku i katërt që i jep ngjyrim të veçantë zgjedhjeve të 14 shkurtit, ka të bëjë me një betejë të papërfunduar shëndetësore me Covid-19, dhe me një luftë disavjeçare që na pret në të ardhmen, me pasojat ekonomike dhe sociale të cilat i ka krijuar ky virus prej vitit të kaluar.

Zatën, pritet që edhe në fushatën parazgjedhore të dominojnë temat e shëndetësisë dhe të mëkëmbjes ekonomike të vendit.

Shkaku i pestë përkon me ndikimin që në rrjedhat dhe zhvillimet politike në vend do të kenë Dhomat e Specializuara në Hagë, me gjykimet që do të nisin sivjet apo vitin e ardhshëm ndaj udhëheqësve të UÇK-së.

Kuvendi i ri i Kosovës, Qeveria dhe Kryeministri i ri, si dhe Presidenti i ri, e kanë të domosdoshme që të mirren me të gjitha këto çështje, apo, shmangia e ballafaqimit me to vetëm sa do ta thellojë krizën politike e cila edhe po e prodhon vazhdimisht këtë mekanizmin e zgjedhjeve të parakohshme për adresimin e krizës së vazhdueshme politike.

Në të kundërtën, vetëm sa do të ngushtohet, siç ndodhi zatën kësaj here (distanca në mes të dy palë zgjedhjeve të fundit është vetëm 16 muaj), periudha kohore që ndanë dy votime parlamentare.

Përballja me vetëveten si politikë kosovare, si pushtet qendror i Kosovës, me të gjitha përgjegjësitë e saja, është domosdoshmëri e kohës.

Nuk mund dot askush t’i shmanget kësaj përballjeje, apo, të provojë ta zëvendësojë ate me një qasje pseudo-mesianike, dhe me mësymje populliste, të cilat më së paku i duhen qytetarëve të Kosovës.

Fati i shqiptarëve të Kosovës dhe i Kosovës si shtet i pavarur, është definuar një herë e përgjithmonë.

Nuk ka zgjedhje as votime që do ta ndryshojnë këtë fat.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë