Loading…

Çka ndodh me prokuroren pas 4 ditësh? Gjykatësja grua, prokurorja grua, e mitura grua – veç 8 muaj burg për dhunuesin burrë

  • 26/10/2021 | 15:40

Çka ndodh me prokuroren pas 4 ditësh? Gjykatësja grua, prokurorja grua, e mitura grua – veç 8 muaj burg për dhunuesin burrë

Lirije Morina, prokurorja që u pajtua me dënimin e shqiptuar nga gjyqtarja e Gjykatës Themelore të Pejës Florije Zatriqi, prej vetëm 8 muaj e 8 ditë ndaj dhunuesit të së miturës, duke mos u ankuar në Gjykatën e Apelit, pritet të pensionohet pas katër ditësh. 


Në të dhënat e publikuara në faqen e Prokurorisë së Shtetit, figuron se prokurorja Lirije Morina ka lindur më 30.10.1956 në Pejë, rrjedhimisht ajo do të pensionohet ditën e shtunë.

Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi, ka kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj, që të rishqyrtojë lëndën e prokurores Lirije Morina dhe nga të gjeturat të ndërmarrë  të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Prokurorja Lirije Morina i kishte propozuar Gjykatës që ndaj dhunuesit P.K., të merreshin rrethanat lehtësuese, duke përmendur faktin se nga kryerja e veprës penale kanë kaluar gati 10 vite, deklaratën e të dëmtuarës të dhënë në polici dhe në prokurori se me rastin e marrëdhënieve seksuale nuk ka pasur lëndime etj.

“Prokurorja për të mitur në fjalën përfundimtare ka deklaruar se, pas përfundimit të këtij shqyrtimi gjyqësor, mbetet në tërësi pranë aktakuzës dhe kualifikimit juridik të veprës penale të përshkruar në dispozitivin e aktakuzës duke propozuar që i njëjti të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, i propozon gjykatës se me rastin e marrjes së vendimit mbi shqiptimin e dënimit t’i merr parasysh rrethanat lehtësuese që shkojnë në favor të të akuzuarit si pranimi i fajësisë për veprën e kryer, se nga kryerja e veprës penale kanë kaluar gati 10 vite, rrethanën se i akuzuari në kohën e kryerjes së veprës penale ka qenë madhor i ri, i kishte 21 vjet, që do të thotë se karakteristikat personale të të akuzuarit në atë kohë shoqëria që është shoqëruar, pra dëshmitarët F.H dhe A.I, të cilët kanë qenë të mitur dhe të cilët i ka pasur shokë, këto rrethana flasin për pjekurinë e tij psikike në kohën e kryerjes së veprës penale, si dhe deklaratën e të dëmtuarës të dhënë në polici dhe në prokurori ku kishte deklaruar se me rastin e marrëdhënieve seksuale nuk ka pasur lëndime, për cka edhe në shkresat të lëndës nuk figuron ndonjë ekspertizë mjeko-ligjore”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë të cilin e posedon Gazeta Express.

Rrethanë lehtësuese për 31-vjeçarin, i cili në vitin 2012 ishte 21-vjeç kur kishte kryer veprën, është marrë edhe shoqërimi i tij me dy të mitur që sipas gjykatës, flasin për ‘pjekurinë e tij psikike’.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Pejë, P.K., në janar të vitit 2012, në një shtëpi të pabanuar në Gjakovë, së bashku me të miturit F.H., dhe A.I., kanë dhunuar vajzën 15-vjeçe. “Në atë mënyrë që gjersa viktima natën kritike kishte dalë nga Spitali i Gjakovës, i pandehuri P.K., së bashku me të miturin A.I., me dhunë nën kërcënimin e thikës nga ana e të miturit A.I., e kishin marrë viktimën, e kishin dërguar në një shtëpi të pabanuar e pastaj me telefon, A.I., kishte thirrë të miturin F.H., i cili kishte shkuar në shtëpinë në fjalë dhe aty gjatë tërë natës i pandehuri dhe të miturit kishin kryer veprën penale të dhunimit. Pastaj e mitura në orët e hershme të mëngjesit kishte ikur nga shtëpia dhe rastin e kishte paraqitur ne polici”.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë