Loading…
Çka ndodh nëse dështon shpërndarja e Kuvendit
  • 21/08/2019 | 21:50

Çka ndodh nëse dështon shpërndarja e Kuvendit

Nesër Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mbajë seancën plenare në ora 10:00 ku pritet të votohet për shpërndarjen e legjislaturës së gjashtë, por në rast të dështimit të seancës së jashtëzakonshme për shpërndarjen e Kuvendit, janë disa procedura që duhet ndjekur, trasnmeton Gazeta Metro.


Njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu, ka treguar se si duhet vepruar nëse dështon të votohet shpërndarja e Kuvendit.

“Kur një seancë e jashtëzakonshme dështon, që ka gjasa të dështojë, të mos shkojë ndonjë deputet dhe të mos bëhet kuorumi ose të mos bëhen votat, atëherë do të duhej që nëse ka një vetëdije të duhur dhe një synim të shëndosh në këto momente kur ka një vakuum institucional me pasoja për vendin, sfera politike të shtynte këtë çështje, ta shtynin mbledhjen për më vonë gjatë ditës, ose të nesërmen, por jo më vonë , ta bëjnë si mbledhje të vazhduar në mënyrë që ta kenë mundësin ta votojnë shpërndarjen e Kuvendit”, ka thënë Baraliu për Telegrafin.

Mazllum Baraliu, njohës i çështjeve kushtetuese

Kurse, Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës sqaroi me gjerësisht për Telegrafin disa nga procedurat lidhur me votimin e shpërndarjes së legjislaturës.

“Nesër pritet të votohet shpërndarja e legjislaturës së gjashtë, sipas dakordimit në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit me datën 5 gusht. Ajo që dihet është që së paku 93 nënshkrime të deputetëve janë dorëzuar për të thirrur seancën e nesërme. Logjikisht, këta 93 deputetë duhet të jenë nesër në Kuvend dhe të votojnë për atë çfarë kanë nënshkruar.

Për të qenë votimi i suksesshëm, duhet që pro shpërndarjes të votojnë së paku 2/3 e deputetëve, që i bie 80 vota pro. Kjo e përcakton edhe kuorumin”, ka thënë Murati.

Artan Murati, Instituti Demokratik i Kosovës

Ai shtoi se votimi mund të dështojë për shkak të mungesës së kuorumit (fizik apo në votim).

“Në këtë rast aplikohen metodat tanimë të njohura: zilja, telefonatat, ri-hedhja në votim, diçka që kemi parë gjatë gjithë legjislaturës. I dyti, nëse votohet por nuk janë 80 vota pro. Në këtë rast, Rregullorja është e heshtur. Duhet referuar pastaj te neni 81.1.1. i Kushtetutës dhe 83.1.a. i Rregullores së Kuvendit, ku thuhet se Kuvendi shpërndahet nëse e brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh, prej ditës së caktimit të mandatarit nga Presidenti i Republikës së Kosovës nuk mund të formohet Qeveria. Presidenti ka shtjerrur rastin e parë për mandatar, e ka edhe të dytin. Kjo do të sillte komplikime e vonesa, por eventualisht do të kryhej”, u shpreh ai.

Murati në fund tha se ekziston edhe një mundësi tjetër e cila do të ishte një kërkesë për interpretim nga Kushtetuesja, se çka do të mund të ndodhte në këto raste.

Ndryshe, legjislatura e VI pritet të shpërndahet pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, shkak për të cilën u bë ftesa e Gjykatës Speciale për intervistim si dhe pas refuzimit të ftesës së presidentit Hashim Thaçi që koalicioni PAN të propozojë një mandatar të ri.

Data e seancës për të votuar për shpërndarjen e Kuvendit ka ardhur pas dorëheqëses së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit të vendit.

Këtë ai e bëri pasi mori ftesë të paraqitet në Gjykatën Speciale.

Kujtojmë se presidenti i vendit u kishte kërkuar koalicionit qeverisës një emër për mandatar në postin e shefit të Qeverisë por kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i ishte përgjigjur si lider i koalicionit duke i kërkuar zgjedhje të reja./gazetametro.net

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë