Është thënë se mossigurimi i numrit të votave, mund ta çojë vendin në zgjedhje, por pak dihet për fatin e marrëveshjes nëse ajo nuk do të merrte votat e nevojshme në Kuvend.
Gazeta Metro ka mësuar se, në rast të hedhjes në votim të kësaj marrëveshje dhe dështimit për të marr 80 vota, marrëveshja do shpallej e pavlefshme, dhe sipas Konventës së Vjenës për të Drejtën e Traktateve, ajo do të shpallej e paqenë.
Ndërkohë, Vigan Qorolli, ligjërues i të Drejtës Ndërkombëtare në UP, ka sqaruar se me mosratifikimin e kësaj marrëveshjeje, ajo do të ‘bie në ujë’ e tëra.
“Nëse marrëveshja mes Kosovss dhe Malit të Zi për demarkacionin nuk kalon me 80 vota, atëherë ajo shpallet e pavlefshme dhe juridikisht sipas ligjit nderkombetar ajo shpallet e paqene, duke qenë se për kufijtë duhet pajtimi përfundimtar i dy palëve”, ka thënë Qorolli për gazetametro.net.
Por, sipas tij, me hedhjen poshtë të kësaj marrëveshjeje në rast të mos ratifikimit, i humbet edhe legjitimiteti anëtarëve të Komisionit shtetëror për këtë marrëveshje.
“Me mosratifikim eventual, kësaj përbërje të Komisionit shtetëror të kufirit i humb mandati. Me automatizëm kjo don të thotë mosbesim i punës së tyre nga deputetët e Kuvendit”, ka thënë ai.
Tutje ai ka sqaruar se këta anëtarë ose duhet të dorëhiqen ose edhe të shkarkohen. Sipas tij, do të duhej të bëhej një marrëveshje tjetër me Malin e Zi me të tjera metodologji.
“Kështu, del që Malit te Zi duhet t’i kërkohet rishikimi dhe rinegocimi i një marrëveshje të re për kufirin mbi kritere të tjera metodologjike. Dhe ne rast rinegocimi me Malin e Zi, duhet të jetë një komision tërësisht tjetër meqë ketij hipotetikisht i vuloset fati me mosbotim”, ka sqaruar Qorolli.
Gjithashtu, i pyetur se ç’do të ndodhte me marrëdhëniet mes dy shteteve nëse marrëveshja nuk ratifikohet, Qorolli i ka thënë gazetametro.net se ato nuk përkeqësohen, por të dyja vendet do të kishin probleme me proceset e integrimit.
“Marrëdhëniet me Malin e Zi nuk përkeqësohen në rast mosratifikimi, por hyjnë në një qorrsokak meqë rishikimi i kufirit ka implikime ndërkombëtare për te dyja palët. Për Kosovën, do të prolongohet edhe më tej liberalizimi i vizave, ndërsa për Malin e Zi – do të ndikojë ecuria e negociatave për anetarësim në BE, meqë anëtarësimi i saj në NATO tashmë është cështje e kryer”, ka thënë ligjëruesi i të Drejtës Ndërkombëtare.
Por, gazetametro.net mëson se në rastin e marrëveshjes më Malin e Zi, ka pasur një kalim të procedurave për demarkimin e kufirit. Siç tregojnë njohës të fushës, së pari duhet të bëhet delimitimi i kufirit, që nënkupton caktimin e pikave kryesore të drejtimit të lëvizjes së kufirit, e më pas të bëhet demarkimi, qe nënkupton vënien në jetë të kufirit të delimituar. Në rastin e Kosovës, siç mëson Gazeta Metro, delimitimi nuk është bërë fare, ndërkohë që ka kaluar direkt në demarkim të kufirit.
Ndërkohë, kryeministri Mustafa ka bërë me dije që për pak ditë demarkacioni do të procedohet në Kuvend për ratifikim. Mirëpo, siç është raportuar, janë disa deputetë të shumicës që janë kundër kësaj marrëveshje, duke bërë që qeveria të mos ketë votat e nevojshme. Mosvotimin e kësaj marrëveshje e kanë kundërshtuar që nga fillimi opozita, ndërkohë që Lista Serbe ka bojkotuar qe sa kohë institucionet e Kosovës./gazetametro.net