Loading…

Çun Lajçi rrëfen për betejën me COVID-19: Hala marr frymë rëndë

  • 10/04/2021 | 14:34

Çun Lajçi rrëfen për betejën me COVID-19: Hala marr frymë rëndë

Çun Lajçi tregoi se kishte qenë shumë i sëmurë nga COVID-19, por fatmirësisht e kaloi.


Aktori Çun Lajçi ka pak kohë që e ka mundur virusin COVID-19, por thotë që ende merr frymë rëndë.

Me anë të një statusi të gjatë, Lajçi tregoi se si kishte pasur probleme të mëdha me temperaturën, në kohën kur humbën emra të mëdhenj të artit shqiptar, siç ishte Cima e Luran Ahmeti.

Ai tregoi se si bashkëshortja e thirri ekipim mjekësor, të cilët mezi kishin arritur në shtëpinë e tij, për t’i thënë ineksione e mjekimet e duhura.

Aktori thotë se po të mos ishte bashkëshortja, e cila edhe pse e infektuar, iu gjend afër në momentet më vështira, ai nuk do të ishte gjallë.

Ky është postimi i Çun Lajçit:

“Unë artisti i pascovidit, që hala marr frymë randë

Po digjesha zjarrmie n’mesnatën e 24 marsit, t’vitit t’krymbun virusësh 2021!
Kokën flakë e kambët borë e ngrime! Trupi n’mes sikur s’ishte i imi!
Thashë, m’paskan sakatue si Ali Pashën e për nji moment vetja mu duk si t’isha trupi i tij n’shtratin e vdekjës.
N’Stamboll kokën trupin n’Janinë, deshta më knua e s’mujta me vazhdua ma tutje vargun!
Po digjesha e po ngrihesha. Po flisja me vetvetën n’kllapinë e zjarrmisë. Po shkruhesha me t’njoftun e t’panjoftun, por fjalët po m’ktheheshin të tjetërsueme! Fryma po me nxihej, nga fjalët që po e ndryshonin kuptimin!
U thoja, si jeni miqë, e tjetërsoheshin fjalët: Si jeni kudra, kokëderra, hajna t’shitun për dy grosh!
E fillonte shamja e mallkimi!
Unë po digjesha nga zjarrmia n’mesnatën e marsit, kur vdiq Cima, Lurani, Syla i Bregut Huc, e ime shoqe po qante n’dhomën tjetër tue thirrë emergjencën.
E kishte harrua virusin n’trupin e vet. Luste infermier e infermiere për Çunin, malësorin që e takoi n’vitet e 70-dheta, për nji gjylpanë shpetimi nga vdekja.
Unë as i gjallë as i vdekun, mbështjellë kambët me këmishën time t’vekut, t’qullosun n’ujë, që shumëherë e vesha kur e recitova atë t’bekuem “Plisi e dheu” që u falen dhe u shitën, e kryet me shallin tim qefin që pikonte ujë!
Po flisja me trutë që kishin hi n’furrën e temperaturës 39-të, e me folë s’flisja, e gishtat s’ishin për shkronja, e dikujt po i shkrueja poezi për dasma, për deka, për lindje!
Mos u frigoni për mua i thosha dikujt, se nuk e dini sa mirë jam! S’kam dhimbje n’trup, s’kam kollitje i thosha dikujt e kambët po me ngriheshin e kryet po me digjej flakë e djersët qull e kishin ba shtratin.
Unë shakull n’shpinë po e shikoja tavanin se si po zbriste ngadalë mbi gjoksin tim e dikush n’dhomën tjetër po thërriste n’telefon emergjencën tue qajtë!
Ishte ime shoqe Gala, që po i luste n’oren 3 t’natës, ata që paguhen për nji gjyplanë, për nji ilaç jete!
S’vimë i thojshin, jemi t’lodhun. Ka shumë kërkesa e s’mundemi t’jemi këtu dhe atje. Jepi oksigjen!
Po ku ta marr unë e mjera, ndegjova kur iu tha. Ai po vdes, e 60 vjet art i dha këtij qyteti. S’i s’keni mëshirë për Çunin e t’gjitha atyne roleve e veprave, dhe krejtë u shkreh n’vaj!
Kur e morën vesh për artistin e fjalës, atëherë u zbutën. Mos qaj, mos ba panikë, se covidi e don me qetësi! Jepe adresën se po nisemi.
Mua m’ikën miqtë me t’cilët po shkruhesha. M’ikën shkronjat, m’ikën fjalët e buzët mu nxinë nga frymëmarrja e randueme!
Gala erdhi n’dhomë, u mundua me m’kthye n’krah, e me ma lagë me ujë edhe njiherë shallin e bardhë qefin!
Mbahu m’tha (sikur ajo s’ishte vetë me covid) se ata po vinë!
Erdhen!
M’dhanë gjylpana e infuzion deri kah mengjesi.
Ikën t’lodhun e të dëshpëruem që s’mund të jenë ne secilën shtëpi, tek secili që merr frymë për herë t’fundit!
Atë natë, po mos t’ishte Gala me thirrë emergjencën, me lotët e dhimbjës për mua, unë sot do t’isha i harruem nga ju, por tue folë me Bubulinën time n’Drelaj.
Ky ishte covidi e ky ishte Çun artisti, n’mesnatën e marsit të vitit 2021, që hala merr frymë randë!
Dardani, 09.04.2021″.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë