Ballkani ishte tema kryesore në Kosovë mbrëmjen e kaluar, ku shkroi historinë për futbollin kosovar. Klubi nga Suhareka u bë skuadra e parë kosovare që arriti të fitoi një ndeshje në fazën e grupeve të Conference League. Ky triumf historik e ka ngazëllyer jashtë mase edhe ish-sulmuesin e Ballkanit, Mirlind Daku, transmeton Gazeta Metro.
Mirlind Daku në një prononcim për Gazeta Metro tregoi se ishte ndjenjë e veçantë të shikonte ish-skuadrën e tij, duke treguar paraqitje të jashtëzakonshme ndaj Sivasspor.
”Ndjenjë e veçantë sepse kam kaluar shumë momente të mira dhe isha tejet i ngazëllyer me performancën dhe fitoren e arritur. Ishte paraqitje tipike europiane shpresoj që edhe në ndeshjet e radhës të vazhdojnë me të njëjtin ritëm dhe të na bëjnë krenar,” tha fillimisht ai.
Nga fjalët që i thotë shihet se sulmuesi i Muras i është gëzuar jashtëzakonisht shumë fitores së Ballkanit. Ai thotë se edhe nëse nuk kualifikohen për në raundin tjetër kanë arritur të tregojnë kualitetin e tyre.
”O edhe nëse nuk kualifikohet në fazën tjetër me performanca po tregojnë që janë të nivelit të lartë. Dhe, jo vetëm Ballkani por çdo ekip kosovar që arrin në këto nivele do të jem tifoz i saj sepse e dua shtetin tim dhe dua që futbolli i shtetit tim të përparojë maksimalisht,” përfundoi Daku.
Mirlind Daku me Ballkanin kishte mbyllur edicionin 2020/2021 si golashënuesi më i spikatur i Superligës së Kosovës me 31 gola.
Ai tani është pjesë e skuadrës së Muras, me të cilën po tregon paraqitje të shkëlqyeshme dhe momentalisht është golashënuesi më i mirë në Superligën e Sllovenisë me shtatë gola. /gazetametro.net
‘99% e kryer’: Skuadra spanjolle dhe gjermane në ‘luftë’ për Mirlind Dakun