Prokuroria Themelore në Pejë ngriti aktakuzë ndaj 12 personave lidhur me një skemë të dyshuar korrupsioni në Qendrën për Patentë Shoferë. Sipas hetimeve, zyrtarë të institucionit dhe përfaqësues të auto-shkollave kanë mundësuar pajisjen e kundërligjshme me patentë-shoferë përmes pagesave ilegale dhe shkeljeve procedurale, transmeton Gazeta Metro.
Në mesin e të dyshuarve është edhe koordinatori i qendrës, i cili akuzohet se ka lejuar kandidatë të hyjnë në provime pa dokumentacion të rregullt dhe jashtë listave zyrtare. Hetimet pretendojnë se ndërmjetësues të ndryshëm kanë marrë shuma deri në 1 mijë euro për të siguruar kalimin e testeve teorike dhe praktike.
Aktakuza përfshin dyshime edhe për manipulim provash, ndihmë kandidatëve gjatë testimit, mbajtje të dosjeve jashtë institucionit dhe organizim të provimeve në kundërshtim me rregullat administrative.
Sipas Prokurorisë, disa auto-shkolla kanë përfituar në mënyrë të padrejtë nga kjo veprimtari, duke tërhequr më shumë kandidatë se konkurrenca. Organet e drejtësisë kanë kërkuar që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të ndëshkohen sipas ligjit.
“Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve A.Sh, T.Sh, R.S, M.S, L.G, N.D, B.K, D.T, B.B, M.D, M.I, dhe F.B për shkak të dyshimit të bazuar mirë se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoriteti zyrtar”, “Manipulimi me prova”, “Legalizimi i përmbajtjes së rreme” dhe “Dhënie ryshfeti” nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë./gazetametro.net