Loading…

‘Dardanët’ mbajtën stërvitjen e fundit në Prishtinë: Rashica e Aliti optimistë për fitore në Çeki

  • 12/11/2019 | 22:15

‘Dardanët’ mbajtën stërvitjen e fundit në Prishtinë: Rashica e Aliti optimistë për fitore në Çeki

Përfaqësuesja e Kosovës ka mbajtur stërvitjen e dytë dhe të fundit në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë, para ndeshjes së të enjtes kundër Çekisë në Plzen, transmeton Gazeta Metro.


Në stërvitje mungoi sulmuesi Vedat Muriqi, i cili tashmë është konfirmuar se nuk do të jetë në gjendje për lojë në dy ndeshjet e ardhshme kualifikuese, derisa Herolind Shala ka stërvitur i veçuar nga pjesa tjetër nën përkujdesjen e trajnerit kondicional dhe stafit mjekësor, të cilët po mundohen t’ia sanojnë lëndimin e këmbës, në mënyrë që ai të jetë i gatshëm për lojë.

Atmosfera në ekip është shumë e mirë, derisa të gjithë futbollistët e tjerë punuan me përkushtim dhe intensitet të plotë në stërvitjen e sotme, njofton FFK.

Në konferencën për media pas stërvitjes u paraqitën Milot Rashica dhe Fidan Aliti, të cilët shprehën optimizmin për një tjetër paraqitje të mirë në Plzen.

Rashica theksoi se në ndeshjen kundër Çekisë nuk kanë çfarë të humbin. “Të gjithë e dimë që kjo është ndeshja më e rëndësishme. Çdo ndeshje deri tani e ka pasur rëndësinë  e vet, po kjo është si finale për ne. Po mendojmë vetëm për Çekinë, të shkojmë atje e të marrim rezultat pozitiv. Nuk kemi çfarë të humbim, do të japim maksimumin dhe shpresoj se do ta fitojmë ndeshjen. Mungesa e Muriqit? Do të jetë një mungesë shumë e madhe për ne, duke ditur formën që ka pasur deri tani si me klubin si me kombëtaren. Por nuk kemi çfarë të bëjmë, futbolli i ka këto gjëra. Edhe në ndeshje të tjera na kanë munguar shumë lojtarë, por ka pasur rezultate pozitive. Shpresojmë se edhe këtë ndeshje do ta fitojmë për shtetin tonë, për tifozët tanë dhe për të gjithë tjerët të lënduar, për Vedatin, Arbërin, Hekuranin”, ka theksuar Rashica. Ai është shprehur i gatshëm për të luajtur edhe në pozitën e sulmuesit. “Në shumicën e ndeshjeve luaj si sulmues te Werderi dhe nuk e di me çfarë formacioni do të luajmë, por kemi edhe pak kohë për të vendosur e të shohim si do të vendosë trajneri. Për mua nuk ka problem të luaj edhe si sulmues, por kemi lojtarë të tjerë që luajnë në pozita të ndryshme. Ajo që na ka sjellë deri këtu është grupi, kemi luajtur për njëri-tjetrin, pra kemi pika të forta në shumë vende”, ka shtuar Rashica.

Ndërkaq, mbrojtësi Fidan Aliti ka thënë se populli dhe shteti i Kosovës e meriton të shkojë në Europian. “Është një ndeshje shumë e rëndësishme dhe këtë e dimë edhe ne. Këtë e shohim si finale. Besoj tek ekipi dhe nëse luajmë futboll si gjithmonë, do të dalim fitues. Ne e dimë çfarë kualitete ka Çekia dhe këtë e pamë kur luajtëm këtu në Prishtinë. Nuk diskutohet që ata kanë lojtarë me shumë kualitet dhe eksperiencë, por nëse luajmë si grup kam besim se do të marrim një rezultat pozitiv në Çeki”, ka thënë Aliti. Në pyetjen e gazetarëve se në taborin çek ka pasur deklarata se e meritojnë kualifikimin para Kosovës, Aliti është shprehur: “Çdo lojtar thotë për veti se e meriton kualifikimin, si unë që them për Kosovën ashtu edhe kundërshtarët për kombëtaren e vete. Jo vetëm ne si lojtar dhe Kosova si ekip, por ky popull dhe ky shtet e meriton të shkojë në Evropian”, ka shtuar Aliti. /gazetametro.net

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë