Loading…

‘Dardanët’ të motivuar për duelin me Anglinë: Flasin Challandes e Rrahmani

  • 16/11/2019 | 21:03

‘Dardanët’ të motivuar për duelin me Anglinë: Flasin Challandes e Rrahmani

Përfaqësuesja e Kosovës e ka kryer stërvitjen e fundit para përballjes së nesërme ndaj Anglisë, në stadiumin “Fadil Vokrri”, që nis në orën 18:00, transmeton Gazeta Metro.


Ndonëse zhgënjimi i djelmoshave tanë dardanë ishte i madh pas humbjes në Plzen kundër Çekisë (2:1), ku u pamundësua kualifikimi direkt në Euro 2020, tashmë e gjithë vëmendja është tek dueli me ‘Tre Luanët’ për të përmbyllur në mënyrë sa më të mirë këtë cikël kualifikues.

Challandes punoi shumë në aspektin taktik, derisa u dha motiv futbollistëve që të luajnë pa presion dhe të shfaqin lojën e tyre më të mirë, duke pasur parasysh se përballë do të kemi njërën prej Kombëtareve më të forta në botë. Në këtë seancë nuk stërviti Herolind Shala, i cili stërvitjen e ndoqi nga bankina, derisa i pranishëm ishte edhe Hekuran Kryeziu për t’i përkrahur bashkëlojarët para kësaj sfide të vështirë. Edhe stërvitjen e sotme të Kosovës e ndoqën krerët e FFK-së, si dhe ish-ambasadori britanik Ruairi O’Connell së bashku me djalin e tij, i cili ishte i veshur me fanellën e Kosovës, njofton FFK.

Ndërkohë, para stërvitjes në konferencë për media u paraqitën përzgjedhësi Bernard Challandes dhe kapiteni Amir Rrahmani, të cilët theksuan rëndësinë e kësaj ndeshje si një ndeshje motivuese për ndeshjen gjysmëfinale të muajit mars në Ligën e Kombeve, nëpërmjet të cilës garë synohet kualifikimi në Euro 2020.

“Për mua është një ndeshje mjaft e rëndësishme, sepse me këtë mbyllet cikli kualifikues dhe është e rëndësishme para lojës me Maqedoninë. Para kualifikueseve, nëse ju kujtohet, ju thosha se këto ndeshje do të na shërbejnë për të bërë përvojë dhe përparim. Kjo ndeshje është mundësi e mirë për të bërë më shumë përvojë. Për ne do të jetë një ndeshje e mrekullueshme”, ka thënë Challandes.

Ai ka thënë se Anglia ka potencial të jashtëzakonshëm sulmues dhe shënon shumë gola. “Për ne mbetet një sfidë e pabesueshme. Si trajner, mund ta shijoj këtë lojë. Kjo është ndeshja e 1001-të për Anglinë, ndërsa për ne është e 29-ta . Ata kanë më shumë përvojë se ne dhe nuk varen vetëm nga një futbollist”, ka shtuar Challandes.

Ndërkaq, kapiteni i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani ka thënë se dëshpërimi nga humbja në Plzen është i madh dhe ndeshje kundër Anglisë nuk e ka rëndësinë siç do ta kishte në rast fitoreje kundër Çekisë. Megjithatë, ai ka pranuar se përballja me anglezët është e veçantë, pasi kemi të bëjmë me njërën prej kombëtareve më të mira të planetit. “Në çdo ndeshje është e rëndësishme fitorja, e kemi përballë një ekip të fortë. Nëse fitojmë, do të jetë e madhe dhe rikthim nga një dëshpërim i madh. Ne e kemi dëshmuar edhe pas humbjes me Anglinë, kemi fituar në shtëpi. E kemi dëshmuar se mund të fitojmë dhe të rikthehemi furishëm. Ne do të mundohemi që të fitojmë, ta zhvillojmë lojën tonë, të mos pësojmë gola ose sa më pak dhe të mundohemi të nxjerrim rezultat pozitiv”, ka thënë Rrahmani.

I pyetur nga gazetarët anglezë se pse në Kosovë për dallim nga vendet e tjera të Ballkanit nuk ndihen të shqetësuar për fyerje eventuale raciste ndaj lojtarëve anglezë, Rrahmani është shprehur: “Njerëzit në Kosovë janë mjaft miqësorë, edhe pse mund të ketë përshtypje të keqe për vendin tonë. Ne kemi marrëdhënie mjaft të mira me Anglinë, jo vetëm në aspektin politik. Në vendin tonë s’ka gjasa të ketë thirrje raciste. Tek ne, lojtarët dhe klubet e Anglisë janë mjaft të pëlqyera”. /gazetametro.net

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë