Zëdhënësi i Departamentin e Shtetit Amerikan (DASh) Matthew Miller, ka folur rreth raportimeve të tërheqjes së forcave serbe pranë kufirit me Kosovën, duke thënë se nuk e kanë ende të verifikuar tërheqjen e tyre dhe janë në proces të verifikimit të raportimeve se nëse Serbia ka tërhequr personelin ushtarak, përcjellë Gazeta Metro.
Miller i pyetur rreth raportimeve të tërheqjes së forcave ushtarake serbe përgjatë kufirit me Kosovën, tha se DASH ende nuk e ka të verifikuar, por nëse është e vërtetë kjo, ai ka theksuar se do të ishte një hap i mirëpritur siç edhe është kërkuar.
“Kemi parë raportimet se Serbia ka tërhequr personelin ushtarak larg kufirit. Ne ende nuk i kemi verifikuar ato në mënyrë të pavarur dhe do të kërkojmë konfirmim të mëtejshëm. Por nëse është e vërtetë, ky do të ishte një hap i mirëpritur, diçka që ne kërkuam të ndodhte javën e kaluar”, deklaroi zëdhënësi i DASH në një konferencë për media.
Ai tutje tha se vazhdojnë të jenë të shqetësuar për rritjen e tensioneve dhe dhunës sporadike në veri të Kosovës.
Ndërsa ka shtuar se SHBA’ja inkurajon të dy palët që të kthehen në dialogun e lehtësuar nga BE’ja.
“Ne vazhdojmë të jemi të shqetësuar për ciklin e rritjes së tensioneve dhe dhunës sporadike në veri të Kosovës dhe inkurajojmë të dyja palët që të kthehen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.
Ai gjithashtu ka thënë se reagimi i SHBA’së ndaj Serbisë, kishte ardhur pasi që kishin vërejtur shtim të trupave në kufirin Kosovë-Serbi
“Ne e kemi parë shtimin e trupave në kufirin Kosovë-Serbi, prandaj edhe kemi reaguar”, shtoi ai tutje.
Ndryshe SHBA kishte reaguar ashpër ndaj Serbisë lidhur me praninë e trupave serbe përgjatë kufirit me Kosovën duke e quajtur shtrirjen, përmasat dhe praninë e këtyre forcave ushtarake si të pashembullt dhe mjaft destabilizuese.
“Ky është një zhvillim shumë destabilizues, që ka ndodhur gjatë javës së fundit, prandaj i bëjmë thirrje Serbisë të tërheqë forcat nga kufiri, që të kontribuojë në uljen e tensioneve dhe vëmendjes”, tha Kirby në një konferencë me gazetarët në Uashington. “Një nga arsyet pse doja ta përmendja shumë qartë sot dhe të bënim komente publike përveç bisedave private, është që t’i nxisim serbët përmes kanaleve diplomatike që t’i tërheqin ato trupa, sepse edhe vetëm nga shtrirja, përmasat e tyre dhe prania e tyre, gjendja është mjaft destabilizuese”, kishte deklaruar, Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare John Kirby të premten.
Ndërsa, mesditën e së dielës, Presidenti serb Aleksandër Vucic, bëri një hap pas pasi SHBA ia tërheq vërejtjen, duke njoftuar se do të tërheqë forcat ushtarake serbe të vendosura pranë kufirit me Kosovën dhe se nuk kishte ndërmend të urdhërojë ushtrinë të kalojë kufirin./gazetametro.net