Loading…

Dashni e gjatë jo vetëm për 17 shkurt

  • Nga

  • FATON ABDULLAHU

  • 17/02/2020 | 11:48

Dashni e gjatë jo vetëm për 17 shkurt

Gatishmëria për flijim është shkalla më e lartë që e krijon një shtet dhe shtylla më e fortë që e mban atë shtet gjallë. Por për ta bërë këtë duhet ta duash vendin dhe ta njohësh arsyen legjitime të ekzistimit të tij. A e duam ne Kosovën ? Apo thënë ndryshe sot a dimë pse dhe si ta duam vendin tonë?  


Shkruan: Faton Abdullahu

Ta duash Kosovën duhet dashur e çmuar ata që u flijuan për te. Por para se t’i duash dhe respektosh si duhet, ata duhet të pranohen për të tillë edhe institucionalisht. Shteti i Kosovës në këtë aspekt është i hendikepuar që nga çlirimi. Kosova me Kushtetutë dhe ligje është shtet multietnik, por nuk ka heronj multietnik për këtë realitet juridik. Prandaj p.sh. Kuvendi i Kosovës, për dallim nga të gjitha foajet dhe sallat e Kuvendeve të shteteve të ndryshme në botë, është pa foto, pa skulptura, pa buste pa piktura të heronjve të vendit tonë. Për shkak se është kështu nuk ka gjasa që në këtë Kuvend të jetë skulptura apo piktura e Adem Jasharit, Zahir Pajazitit apo Hasan Prishtinës e Isa Boletinit. Për rrjedhojë ata i gjen në rrugët sheshet e bulevardet e Kosovës, ligjërisht si gjysmëklandestinë. Në një mënyrë edhe respekti dhe kurora lulesh që u vihen në varr heronjëve sot nga krerët e institucionave janë veprime gjysmë klandestine. Në Prishtinë Skenderbeun, në Mitrovicë Car Lazarin, në Mamush Ataturkun, kjo në Kosovë është ndarje, parcialitet juridik, politik, kulturor dhe jo vetëm mbi të cilën është gati e pamundur të formohet baza mbi të cilën ngitet arsyeja e ekzistimit apo thënë ndryshe e legjitimitetit shtetëror të qëndrueshëm. Në anën tjetër pa heronjtë e Kosovës pa gjakun e tyre Kosova nuk do të ishte sot e lirë. Por atyre sot u ndalohet të jenë ligjërisht të pranuar sepse edhe shqiptarizma si vlerë nuk është as në Kushtetutën e Kosovës as në preambulën e saj. Prandaj ka dy qasje problemore në këtë drejtim. E para, një lloj veprimi e përkujdesi i shtuar e herë  i tepruar për t’i lartësuar e mbrojtur vazhdimisht heronjtë që nuk pranohen sa e si duhet dhe e dyta, për ti sulmuar e ofenduar ata deri në degradim e mohim të luftës e flijimit që kështu të dëmtohet njëra nga shtyllat kryesore e cila mbanë bazën e ekzistencës së vendit tonë.

Në anën tjetër ta duash Kosovën si duhet dhe t’ia duash asaj të mirën, duhet t’i duash edhe të gjithë ata që nuk janë shqiptarë, por që jetojnë me ne në këtë vend dhe e ndajnë të mirën dhe të keqen bashke me ne. Ne shqiptarët në Kosovë kemi traditë të gjatë të bashkëjetesës me jo shqiptarët që jetojnë në këtë vend, por kemi traditë shumë të shkurtë, por edhe të varfër, të përkujdesit institucional për të drejtat, për jetën dhe për të ardhmen e tyre në Kosovë. Është hera e parë në historinë e këtij vendi që, neve si shumicë, na bie barra e plotë që ta kemi obligim shtetëror, përkujdesin për jo shqiptarët. Kjo është përgjegjësi shtetndërtuese. Kjo është sprovë historike për ne. Në këtë drejtim jemi duke folur dhe shkruar (nxjerrë ligje) shumë më shumë se që jemi duke bërë. Sot jemi para dy opcioneve që mund të na vënë në sprovë të madhe në këtë drejtim. Të pajtohemi që pjesa më e madhe e tyre të largohet nga Kosova bashkë me tokën që e popullojnë apo ti pranojmë ata brenda në një dimension juridiko-poliik ende të paqartë.

Nuk mund ta duash Kosovën pa i dashur edhe shqiptarët tjerë jashtë Kosovës në Ballkan. Kosova është pjesë e pandashme dhe vitale e kësaj tërësie. Kjo nënkupton ta duash gjuhën shqipe, flamurin shqiptarë, kulturën dhe traditën shekullore shqiptare. Këtë duhet kuptuar si përpjekje pragmatike për ta mbajtur gjallë lidhjen, me (atdhe) dashuri,Kjo do të thotë  të jesh kundër mos bashkëpunimit, kundër mos përafrimit, kundër ndarjes dhe tjetërsimit të shqiptarëve në Ballkan që është krijuar dhe mbajtur aktive me urrejtje ushtri e strategji të përpunuar nga ata që nuk na e kanë dashur të mirën. Kjo dashuri dhe ky përkushtim sjell dhe shton siguri dhe paqe në këtë rajon, që dikur me decenie është ndërtuar mbi tragjedinë e copëtimit tonë. Këtë nuk duhet mohuar as komuniteteteve pakicë në Kosovë, në raport me vendet e tyre amë.

Ta duash Kosovën duhet ta duash, çmosh dhe kultivosh tolerancën fetare. Jo vetëm tolerancën fetare ndërmjet shqiptarëve, por edhe me fetë e të tjerëve në vendin tonë. Pak fe Kosovës i duhet shumë, shumë fe nuk i duhet aspak. Si e tillë kjo kategori nuk ka masë matëse, as nuk mund të vlejë e përcaktohet e servohet për individin, por për shtetin dhe shoqërinë tonë duhet të ketë, dhe atë duke mbetur brenda kornizës ligjore e sekularizmit si vlerë e shqiptarizmës por edhe evroperëndimore. Në këtë aspekt, nuk duhet përjashtuar e le më anatemuar as ateistët, as ata që nuk praktikojnë ndonjë fe, por që mund të besojnë në diçka. Në anën tjetër, më shumë islam në Kosovë nuk do të thotë më shumë pro-uesternizëm dhe më afër vlerave evro-perëndimore. Por, as më pak islam dhe sidomos kundër-islam në Kosovë, nuk e begaton këtë rrugëtim, sepse mund ta ndërlikoj dhe vonoj.

Pagesa e taksave është veprim dhe kulturë institucionaliste e qytetarit, shprehje e vjetër e respektit, kujdesit dhe dashurisë për shtetin. Me traditë dymbëdhjetëvjeçare të pasjes së shtetit, ky obligim nuk është bërë ende mendësi e të vepruarit institucionalist tek ne. Mos pagimi i taksave dikur ndër ne, ka qenë në njëfarë mënyre formë e shprehjes së pakënaqësisë, revoltës por edhe e përpjekjes së dobësimit të shtetit (ve) ku kemi jetuar. Diskriminimi institucional në shtetet ku kemi jetuar më parë, i cili na është bërë vazhdimisht dhe vrazhdë, bishtërimin e pagimit të taksave e ka kthyer në një lloj patriotizmi antishtetëror. Këtë traditë të gjatë shekullore nuk është e lehtë për ta ndryshuar për dymbëdhjetë vite. Por ky ndryshim, do të jetë dëshmi e mirë se, kemi filluar përnjëmend ta duam këtë vend.

Respektimi i Kushtetutës dhe ligjeve është një tjetër premisë për ta dashur Kosovën. Është krejt e kuptueshme se për një vend si Kosova, kohë të gjatë e robëruar dhe kohë të gjatë me ligje diskriminuese ndaj qytetarëve të saj, mentaliteti i respektimit të aktit më të lartë juridik, Kushtetutës dhe ligjeve tjera, nuk ka mundur të kultivohet. Përkundrazi, mos respektimi dhe vënia ndesh me ligjet, për shqiptarin në Kosovë, ka qenë shpesh formë e shprehjes së patriotizmit. Kjo duhet të ndryshoj, larg më shpejt se që po ndodh. Në anën tjetër ne, nuk mund të pretendojmë se mund dhe duhet ta respektojmë Kushtetutën tonë me konsekuencën dhe fanatizmin me të cilin e duan dhe e respektojnë qytetarët e shteteve me Kushtetuta të vjetra shumë vite e dekada e besa edhe shekuj. Kjo për faktin se rrethanat kur u krijua Kushtetuta e Kosovës, lë shumë për të dëshiruar, në kuptimin e shprehjes së plotë dhe të lirë të vullnetit politik dhe jo vetëm, të qytetarit të Kosovës. Prandaj ky respekt i Kushtetutës së Kosovës duhet të shprehet edhe me dëshirën për ta ndryshuar atë, në të mirë të forcimit të shtetësisë dhe sidomos demokratizmit të shoqërisë dhe të ardhmes së vendit tonë.

Njerëzit që jetojnë jashtë Kosovës, të njohur më shpesh si gyrbetqarë, janë pjesë vitale e vendit tonë. Kjo kategori e njerëzve tanë, është e madhe në numër dhe si tërësi aktive shumë e vjetër në kohë. Një Kosovë tjetër, jeton gjithandej në vende të ndryshme të botës, sidomos Evropës. Është përgjegjësi tashmë shtetërore që të mbajmë lidhje aktive dhe kreative me këtë Kosovë. Në përpjesëtim me numrin e banorëve pak janë vende në botë të cilat kanë numër kaq të madhe qytetarësh që jetojnë jashtë, realitet ky i determinuar nga dhuna shtetërore dhe varfëria e imponuar me diskriminim. Gyrbetqarët tanë sot janë ushtria e ekonomisë kosovare e dinjitetit të vendit tonë. Mbajtja e lidhjeve ma ata është premisë për rritjene e sigurisë dhe forcës tonë në të gjitha fushat.

Për Kosovën duhet të kesh dhembshuri. E kaluar e saj me hile të gjata dhe padrejtësi të vrazhdët dhe e tashmja e brishtë, duhet të të ngjallë këtë ndjenjë brenge, disi ngjashëm si të nënës për të bijën. Por, po ajo e kaluar dhe gjithsesi edhe e ardhmja e saj, duhet të të ngjallë besim të fortë dhe krenari pa fund, disi ngjashëm si të babës për birin tek e sheh se po rritet e po bëhet burrë. Krejt këtë për ta dashur Kosovën, për të punuar shumë e ndihmuar pandalshëm edhe të tjerët. Sot, disi me kujdesin, si ndaj një foshnje të brishtë e të vogël, kurse gjithmonë me krenarinë që të prek deri në lot, si të Majlindës kur u ngrit më së larti flamuri i Kosovës në Olimpiadë.

(Autori është analist i njohur politik dhe kolumnist i rregullt në Gazetën Metro)

 

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë