Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Alternativës, Ilir Deda, ka komentuar rreth ofertës së BE’së për zgjidhjen e problemit të tarifave ndaj Serbisë.
Përmes një postimi në Facebook, Deda ka thënë se oferta e Mogherinit është çdo gjë tjetër, përpos një ofertë, përcjell gazetametro.net.
‘Oferta e znj. Mogherini “ju (Kosova) suspendoni taksën 100%, ne (BE-ja) ju avancojmë nga UNMIK në Kosovo* në CEFTA” është çdo gjë tjetër përpos një oferte’, ka shkruar ai.
Tutje, ai ka pasur edhe një pyetje drejtuar BE’së.
‘ NËSE faza finale e dialogut me Serbinë bëhet për njohje të Republikës së Kosovës, atëherë për çfarë “avancimi” nga UNMIK drejt Kosovo* po flasim? ‘, shkruan në postimin e Dedes.
Në fund, ai ka shtuar se sipas tij, Brukseli nuk ka kurrfarë oferte.
Ky është postimi i plotë i Ilir Dedës.
Ndryshe, Përfaqësuesja e lartë e BE-së Frederica Mogherini, Komisionerja për tregti Cecilia Malmstrom dhe Komisioneri për Zgjerim i BE’së, Johannes Hahn, sot i kanë dërguar një letër të përbashkët kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, ku kanë bërë me ofrimin e një opsioni për zgjidhjen e problemit të tarifave ndaj Serbisë.
Kujtojmë se taksa 100 për qind dhe formimi i Ushtrisë së Kosovës para dy ditësh, ka ngjallur reagime të shumta nga Bashkimi Europian dhe disa zyrtarë të saj./gazetametro.net