Veç dy ditë më parë, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka refuzuar kërkesat për tërheqjen e dorëheqjeve të pesë prokurorëve dhe 15 anëtarëve të stafit mbështetës të komunitetit serb për t’u rikthyer në sistemin prokurorial të Kosovës, shkruan Gazeta Metro.
Kësisoj, gjatë të martës KPK-ja dërgoi tek u.d e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, emrat e pesë prokurorëve për lirim nga detyra.
Pa humbur kohë veç një ditë më vonë, vetë Haxhiu nënshkroi dekretet për lirimin e shtatë prokurorëve serbë nga detyra.
Këtë e bëri nën arsyetimin se askush nuk mund të mbajë peng funksionimin e institucioneve e as të krijojë paqartësi juridike.
“Pas vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve nga komuniteti serb, të cilët kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022, kam nënshkruar dekretet për lirimin e tyre nga detyra. Me këtë akt përmbyllet një proces i zgjatur për vite me radhë dhe zbatohet vendimi i institucionit kompetent, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Shteti ynë funksionon mbi parimet e rendit kushtetues dhe sundimit të ligjit. Askush nuk mund të mbajë peng funksionimin e institucioneve dhe as të krijojë paqartësi juridike përmes proceseve të papërfunduara. Republika e Kosovës do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri, në përputhje me ligjin dhe në mbrojtje të integritetit të institucioneve të saj”, ka shkruar ajo.
Nga krejt kjo situatë menjëherë reagoi ish-kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, duke shpërnda postimin e Haxhiut në rrjete sociale, me sharje në gjuhë serbe “ajde u p**u mater”.
Të kënaqur nga ky vendim nuk u ndan as nga Brukseli. Bashkimi Evropian ka shprehu shqetësim në lidhje me vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës për largimin nga detyra të shtatë prokurorëve serbë që kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022, vendim që u dekretua të martën nga Ushtruesja e Detyrës së Presidentes Ky vendim, sipas Unionit, “duket se nuk është në përputhje me ligjin, me parimin e procesit të rregullt ligjor (due process) dhe me kërkesat e përgjithshme të sundimit të ligjit në Kosovë”.
Nga ana tjetër, ata kanë theksuar se “mirëpresim tërheqjen, më 15 korrik 2026, të dorëheqjeve të paraqitura nga gjyqtarët, prokurorët dhe stafi mbështetës serb i Kosovës”.
“Sipas Kushtetutës së saj, Kosova është një shoqëri shumetnike e bazuar në sundimin e ligjit dhe sistemi i saj i drejtësisë duhet të pasqyrojë përbërjen etnike të vendit. BE i ka bërë vazhdimisht thirrje Kosovës që të mundësojë riintegrimin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe personelit mbështetës serb të Kosovës, në përputhje me legjislacionin e Kosovës dhe marrëveshjet e arritura në kuadër të Dialogut”, thuhet tutje.
Prokurorët, gjyqtarët dhe policët serbë ishin dorëhequr nga institucionet e Kosovës më 5 nëntor 2022, si shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për largimin e të targave ilegale nga automjetet të cilat ishin lëshuar nga Serbia dhe zëvendësimin e tyre me ato të Kosovës./gazetametro.net