Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka shprehur shqetësimin e tij me propozimin e Komisionit Evropian që të liberalizohen vizat edhe për serbët që jetojnë në Kosovë dhe kanë pasaporta serbe të lëshuara nga institucionet paralele, shkruan Gazeta Metro.
Në një postim në Facebook, Bislimi ka thënë se ky propozim nuk është diskutuar me Qeverinë.
“Pasaportat ilegale të lëshuara nga Qendra Koordinuese e Serbisë, i konsideron komunat brenda Kosovës si pjesë të juridiksionit të Serbisë, shkelje kjo e sovranitetit tonë dhe e papranueshme. Njohja e këtyre dokumenteve, minon integrimin e komunitetit serb, duke dëmtuar përpjekjet tona në të cilat jemi angazhuar bashkarisht prej vitesh. Gjithashtu, propozimi shkel edhe frymën dhe marrëveshjet e dialogut për shuarjen e këtyre strukturave ilegale. Ne ftojmë BE-në që këto dokumente t’i trajtojë si të paligjshme ashtu siç trajton pjesën tjetër të dokumentacionit paralel. Komuniteti serb në Kosovë, nuk ka mbetur pa liberalizim të vizave, pasi ata mund të pajisen me pasaporta të rregullta të lëshuara nga Kosova të cilat mundësojnë udhëtimin pa viza”, ka shkruar ai.
Tutje Bislimi tha se qeveria ka vënë në praktikë një procedurë të përshpejtuar për pajisjen e të gjithë serbëve të Kosovës me pasaporta. /gazetametro.net