Janë të rinjtë e pakënaqur, pa punë dhe pa ndjenjën e përkatësisë të cilët po bien pre e ekstremistëve të dhunshëm. Kjo është deklarata që dha sot ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie gjatë një tryeze në Gjakovë.
Delawie tha se janë ekstremistët e dhunshëm që po eksploatojnë mediat sociale për të shtuar radhët e tyre duke bërë që frika të shtrihet në mënyrë zinxhirore tek këta të rinj.
“Ekstremistët e dhunshëm përhapin rrëfime, porosi dhe ideologji për t’i tërhequr individët por edhe të gjitha bashkësitë në orbitën e tyre. Fuqizimi i shoqërisë civile është kritike në parandalimin e margjinalizimit shoqëror që ushqen këtë cikël të frikës, të zemërimit dhe ndjenjën e padrejtësisë të cilës i janë përkushtuar ekstremistët. Deri sa ne mbështetemi në sigurinë e qeverisë dhe në sundimin e ligjit për mundjen e terroristëve aktivë, pjesëmarrja pro aktive, puna në parandalimin e gjeneratës së ardhshme të ekstremizmit të dhunshëm, kërkon që të gjithë të jenë pjesë e zgjidhjes”, tha Delawie, transmeton REL.
Ai tha se bashkësitë lokale janë mjeti më i fortë në luftën kundër radikalizmit të të rinjve. Ambasadori Delawie tha se duhet të investohet në rini me resurse materiale dhe me fuqizimin e rëndësishëm politik.
“Duhet të trimërojmë njerëzit e rinj që t’i përkushtohen paqes, shumëllojshmërisë dhe respektit të ndërsjellë. Arsimimi luan rolin vendimtar në shkollë dhe në shtëpi, për të fituar betejën për mendjet e gjeneratave të ardhshme”, tha Delawie.