Loading…

Delawie: Terrorizmi luftohet me bashkim të forcave

  • 06/03/2017 | 15:36

Delawie: Terrorizmi luftohet me bashkim të forcave

Në komunën e Pejës filloi punimet konferenca dy ditore “Qytetet e Forta në Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm në Kosovë”. Në këtë konferencë po marrin pjesë, ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, ambasadori amerikan, Greg Delawie, shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, kryeimami i Bashkësisë Islame në Kosovë, Sabri Bajgora, kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri etj.


Në hapje të konferencës, ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, theksoi se që nga dita e marrjes së mandatit të tij si ministër, i ka dhënë rëndësi të madhe luftimit të radikalizmit dhe dhunshëm dhe radikalizmit.

“Në Republikën e Kosovës tashmë janë nëntë qytete që janë pjesë e rrjetit të qyteteve të forta, që merren aktivisht me luftimin e kësaj dukurie. Roli i komunave dhe i shoqërisë civile në përgjithësi është shumë i madh në këtë aspekt, sepse nuk mjafton vetëm puna e Policisë së Kosovës në luftimin e kësaj dukurie”, tha ministri Hyseni.

Më këtë rast ministri Hyseni shprehi mirënjohjeje për ICITAP-in amerikan dhe misionin e OSBE-së për përkrahjen që i ka dhënë Ministrisë së Punëve të Brendshme në luftimin e radikalizmit dhe terrorizmit.

Ndërsa ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, vuri në dukje se e përkrahë këtë iniciativë dhe se ekstremizmi dhe terrorizmi është i pranishëm në çdo vend të globit. Ambasadori Delawie theksoi se komuniteti ndërkombëtar e ka kuptuar se vetëm bashkimi i forcave mund ta luftojë këtë fenomen negativ.

Rrjeti “Qytetet e Forta Luftojnë Ekstremizmin e Dhunshëm në Kosovë” është shumë i rëndësishëm, unik dhe vital, për të zbuluar kërcënimet nga ekstremizmi i dhunshëm. Liderët Lokal e kanë rolin e tyre në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, tha se radikalizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm është një çështje globale dhe Kosova është pjesë e globit dhe nuk është problem vetëm i Kosovës.

Ai tha se kjo nuk është problem vetëm për rendin dhe ligjin, por është e të gjithë shoqërisë, andaj qytetarët dhe komuniteti duhet të angazhohen në parandalimin e kësaj dukurie. Për të luftuar këtë fenomen duhet të kontribuojmë të gjithë së bashku dhe se ndarja e informatave është vitale në luftimin e kësaj dukurie.

Ndërsa kryeimami i Bashkësisë Islame në Kosovë, Sabri Bajgora, theksoi se Bashkësia Islame e Kosovës zotohet se do të jetë pengesë e fortë kundër çdo lloji të ekstremizmit fetar.

“Nuk ka fe të caktuar ose atdhe që është bazë e ekstremizmit fetar, por është fenomen global që na ka goditur edhe ne dhe bashkërisht duhet ta luftojmë”, tha Bajgora.

Kjo konferencë organizohet nga Strong Cities Network, ICITAP-i dhe OSBE-ja, i mbështetur nga Departamenti i Shtetit të ShBA-ve. /gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë