Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, reagoi ndaj deklaratave të ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, duke shprehur kritika të ashpra ndaj mënyrës së veprimit të Lëvizjes Vetëvendosje, transmeton Gazeta Metro.
Deliu-Kodra ka vënë në pikëpyetje veprimet e pushtetit, duke i lidhur ato me funksionimin e institucioneve dhe respektimin e normave kushtetuese.
“Çka duhet të bëjë një armik i Kosovës për ta dëmtuar shtetin më shumë? Të shkelë Kushtetutën? Të shpërfillë Gjykatën Kushtetuese? Të paralizojë Kuvendin? Të mos respektojë Rregulloren e tij?”, shkroi ajo.
Sipas saj, këto zhvillime kanë ndodhur brenda një periudhe të shkurtër dhe paraqesin, siç pretendon ajo, një seri veprimesh që kanë cenuar funksionimin normal institucional. Deputetja opozitare ka argumentuar se mosrespektimi i Kushtetutës, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe procedurave parlamentare ka pasoja më të gjera sesa një përplasje mes institucioneve.
“Pas 48 orësh nga skadimi i afatit, tash është prekur edhe Rregullorja e Kuvendit. Kur shkelen Kushtetuta, vendimet e Gjykatës dhe rregullat e Kuvendit, nuk po dëmtohet vetëm një institucion. Po dëmtohet vetë rendi kushtetues. E kur rrënohen rregullat, rrënohen edhe themelet mbi të cilat qëndron shteti”, deklaroi ajo./gazetametro.net