Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka ringjallur sot çështjen për Demarkacionin, duke thënë se nuk është punë e vdekur.
Ai, u zotua se çështja e demarkacionit me Malin e Zi do të bëhet ngase kjo sipas Mustafës është në interes të Kosovës.
Kryeministri i bëri këto deklarata përderisa morri pjesë në vënien e gurthemelit për ndërtimin e objektit për Institutin e Administratës Publike.
Mustafa u tregua kritik edhe ndaj deputetëve që po e kundërshtojnë demarkacionin me Malin e Zi.
Sipas tij, deputetët që po e kundërshtojnë këtë proces duhet të punojnë për shtetin e tyre e jo për interesa individuale.
“Është në interes të Republikës së Kosovës që ne të përcaktojmë kufijtë. Demarkacioni nuk është çështje e vdekur ashtu siç lexova sot sepse shteti i Kosovës është shtet që gjallëron dhe kufijtë janë kufij që duhet të ekzistojnë sepse nuk ka shtet pa kufij, prandaj këtë do të bëjmë me çdo kusht, do ta bëjmë me bindje të plotë të deputetëve se ata duhet të punojnë për shtetin e tyre jo për interesa individuale”, tha Mustafa./gazetametro.net