Loading…

Demokracia nën Sulm: Dezinformimi, Zgjedhjet dhe e Ardhmja Strategjike e Kosovës

  • 16/03/2026 | 10:45

Demokracia nën Sulm: Dezinformimi, Zgjedhjet dhe e Ardhmja Strategjike e Kosovës

“Kur dezinformimi përdoret për të manipuluar të vërtetën dhe për të orientuar perceptimin e qytetarëve, në rrezik nuk është vetëm debati politik. Në rrezik vendoset vota e lirë, besimi në demokraci dhe vetë siguria kombëtare e Republikës së Kosovës. Sepse kur qytetarët bombardohen me narrativa të fabrikuara dhe informacione të manipuluara, aftësia e tyre për të marrë vendime të lira dhe të informuara dobësohet. Në atë moment, demokracia nuk përballet më me një garë politike, por me një kërcënim strategjik. Kosova sot ndodhet pikërisht përballë këtij realiteti.”


Demokracia e Kosovës është ndërtuar mbi sakrificë, guxim dhe partneritet me aleatët tanë. Sot, megjithatë, demokracia jonë përballet me një lloj tjetër kërcënimi, një kërcënim që nuk përhapet përmes armëve, por përmes manipulimit të informacionit.

Në javët e fundit, rrjetet sociale në Kosovë janë mbushur me narrativa të manipuluara, imazhe mashtruese dhe citime të fabrikuara apo të nxjerra jashtë kontekstit, të dizajnuara për të ndikuar perceptimin publik para zgjedhjeve. Një shembull i fundit që po qarkullon online i atribuon ish-diplomatit amerikan Derek Chollet deklarata që gjoja lavdërojnë drejtpërdrejt kryeministrin Kurti dhe qeverinë aktuale. Narrativa të tilla nuk janë të pafajshme. Ato krijojnë përshtypjen e një mbështetjeje ndërkombëtare që në fakt i shërben drejtpërdrejt interesit politik të partisë në pushtet. Postime të tilla përhapen me shpejtësi, shpesh pa u verifikuar autenticiteti apo konteksti i tyre. Kur narrativa të tilla bëhen virale, dëmi është i menjëhershëm, qytetarët mbeten duke u pyetur se çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo.

Shembulli i fundit i dokumentit të fabrikuar që po qarkullon në rrjete sociale lidhur me tokat e Manastirit të Deçanit tregon qartë se si funksionon dezinformimi politik në Kosovë. Dokumenti është lehtësisht i identifikueshëm si i rremë, sepse Presidenti i Republikës nuk ka asnjë kompetencë kushtetuese për të vendosur mbi pronësinë e tokës përmes një dekreti, ndërsa çështja e 24 hektarëve të Manastirit të Deçanit është vendosur përfundimisht nga Gjykata Kushtetuese. Po aq e qartë është edhe kronologjia politike. Vendimi mbeti për vite të tëra i pazbatuar, ndërsa në vitin 2024 ishte pikërisht Qeveria Kurti ajo që vendosi ta zbatojë atë. Për këtë arsye, dokumente të rreme që tentojnë të krijojnë përshtypjen se vendimi po merret tani nga një institucion tjetër, apo se përgjegjësia qëndron diku tjetër, synojnë të shtrembërojnë realitetin dhe të largojnë vëmendjen nga përgjegjësia politike për një vendim shumë të ndjeshëm publikisht. Në një kontekst ku pushteti aktual erdhi në pushtet duke ngritur tensione nacionaliste dhe duke premtuar se nuk do të kishte kompromis në çështje të tilla, përdorimi i dezinformimit për të maskuar realitetin e vendimeve të marra bëhet edhe më problematik. Kur dokumente të fabrikuara përdoren për të manipuluar faktet juridike dhe për të orientuar perceptimin e qytetarëve, nuk kemi të bëjmë thjesht me propagandë politike, por me një përpjekje të qëllimshme për të deformuar debatin publik dhe për të shmangur përgjegjësinë për vendime që kanë implikime të rëndësishme për besimin në institucionet e shtetit.

Ky fenomen nuk është i rastësishëm. Në mbarë Evropën dhe Ballkanin Perëndimor, dezinformimi i lidhur me zgjedhjet është bërë një instrument i njohur i ndikimit politik dhe gjeopolitik. NATO, Bashkimi Evropian dhe institucione të pavarura kërkimore kanë paralajmëruar vazhdimisht se fushatat e manipulimit të informacionit përdoren për të hutuar votuesit, për të polarizuar shoqëritë dhe për të dobësuar institucionet demokratike. Kosova, për shkak të orientimit të saj strategjik drejt Shteteve të Bashkuara, NATO-s dhe Bashkimit Evropian, është një objektiv veçanërisht tërheqës dhe ky kërcënim vjen në një moment të ndjeshëm.

Raportime të fundit që citojnë diplomatë të NATO-s tregojnë se Shtetet e Bashkuara kanë diskutuar një rishikim më të gjerë të disa misioneve të NATO-s jashtë vendit, përfshirë mundësinë e reduktimeve në disa misione si në Irak dhe potencialisht edhe një zvogëlim të misionit të KFOR-it në Kosovë, megjithëse nuk është marrë asnjë vendim dhe zyrtarët e NATO-s theksojnë se misione të tilla mbeten të bazuara në kushtet e sigurisë. Analistë evropianë të sigurisë kanë paralajmëruar se çdo dobësim i pranisë ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë mund të ketë pasoja destabilizuese për rajonin. Në të njëjtën kohë, zhvillimet në Uashington nënvizojnë sa seriozisht e shohin politikëbërësit amerikanë stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe të ardhmen e Kosovës.

Një grup dypartiak ligjvënësish amerikanë i shkroi së fundmi Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, duke shprehur shqetësim për zhvillimet destabilizuese në rajon dhe duke kërkuar angazhim të fortë amerikan për ruajtjen e stabilitetit dhe rendit kushtetues të shteteve në Ballkanin Perëndimor. Letra u drejtua nga Sen. Jeanne Shaheen (D-N.H.), anëtare e lartë e Komitetit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, dhe Përfaqësuesi Mike Turner (R-Ohajo), anëtar i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Nënkomisionit të Komitetit të Mbikëqyrjes dhe Reformës Qeveritare të Dhomës së Përfaqësuesve për Çështjet Ushtarake dhe të Jashtme. Nënshkrues të tjerë përfshijnë senatorët Roger Wicker (R-Miss.), kryetar i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit; Chuck Grassley (R-Iowa); Thom Tillis (R-N.C.); Joni Ernst (R-Iowa); Peter Welch (D-Vt.); dhe Chris Van Hollen (D-Md.). Anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve që nënshkruan letrën përfshijnë përfaqësuesit: Gregory Meeks (D-N.Y.), anëtari i lartë i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve; Brendan Boyle (D-Pa.); Rick Larsen (R-Wash.); dhe Ann Wagner (R-Mo.).

Për Kosovën, ky angazhim dypartiak nga politikëbërës të lartë amerikanë është një rikujtim i një të vërtete themelore: mbështetja amerikane për stabilitetin dhe zhvillimin demokratik në Ballkanin Perëndimor ka qenë historikisht dypartiake dhe e bazuar në interesa strategjike afatgjata.

Në një moment kur fushatat e dezinformimit përpiqen të shtrembërojnë perceptimin publik dhe të dobësojnë besimin në aleanca, është thelbësore që qytetarët e Kosovës ta kuptojnë sa nga afër ndiqen zhvillimet në rajonin tonë në Uashington dhe sa e rëndësishme është që Kosova të mbetet e ankoruar fuqishëm në rrugën e saj euro-atlantike dhe në partneritetin me Shtetet e Bashkuara.

Pavarësisht nëse këto diskutime çojnë apo jo në ndryshime politike, një fakt mbetet i qartë, marrëdhënia e Kosovës me Shtetet e Bashkuara është themeli i sigurisë, prosperitetit dhe legjitimitetit tonë ndërkombëtar. Çdo dinamikë politike që rrezikon ta dëmtojë këtë marrëdhënie nuk është thjesht një çështje partiake. Është një çështje e sigurisë kombëtare. Pikërisht për këtë arsye rritja e papritur e dezinformimit gjatë një periudhe zgjedhore duhet të alarmojë çdo qytetar të Kosovës.

Kur narrativa dezinformuese përfitojnë vazhdimisht interesat politike të një akteri apo partie të caktuar, në këtë rast shpesh duke u përputhur me mesazhet që favorizojnë partinë në pushtet, Vetëvendosje (VV), dy mundësi duhet të merren në konsideratë. Mundësia e parë është që fushata të tilla të koordinohen apo financohen drejtpërdrejt brenda vendit për të formësuar narrativa politike dhe për të ndikuar në rezultatet zgjedhore. Mundësia e dytë mund të jetë edhe më shqetësuese: që akterët e tillë politik mund të jenë duke lejuar veten, me vetëdije apo pa vetëdije, të bëhen amplifikues të fushatave më të gjera të luftës hibride të zhvilluara nga akterë të huaj që synojnë destabilizimin e Kosovës.

Në gjithë Ballkanin Perëndimor, ekspertë dhe institucione të sigurisë kanë paralajmëruar vazhdimisht për rrjete ruse dhe rajonale të dezinformimit të dizajnuara për të dobësuar partneritetet me NATO-n, për të minuar besimin në institucionet perëndimore dhe për të ngadalësuar integrimin euro-atlantik. Këto fushata rrallë veprojnë të izoluara. Ato funksionojnë duke injektuar narrativa në debatet politike vendore që më pas amplifikohen përmes rrjeteve sociale, faqeve anonime apo diskursit politik të polarizuar. Kur narrativa të tilla fillojnë të dominojnë diskutimet gjatë zgjedhjeve, ato mund të shtrembërojnë perceptimin publik dhe të dobësojnë vendimmarrjen demokratike.

Nëse narrativa dezinformuese që qarkullojnë në Kosovë avancojnë vazhdimisht rezultate politike që dobësojnë aleancat tona me Shtetet e Bashkuara, NATO-n dhe Bashkimin Evropian, atëherë duhet të bëjmë një pyetje të vështirë: A është kjo thjesht një rastësi? Apo po shohim dinamika politike vendore që po përputhen me agjenda më të gjera të luftës hibride që synojnë destabilizimin e Kosovës dhe largimin e saj nga rruga euro-atlantike? Këto çështje duhet të hetohen nga institucionet përkatëse përgjegjëse për inteligjencën dhe zbatimin e ligjit.

Por njëkohësisht, lidershipi i përgjegjshëm kërkon që ne të njohim shenjat paralajmëruese kur ato shfaqen. Demokracia kërkon qytetarë të informuar. Kur votuesit bombardohen me informacion të manipuluar, citime të fabrikuara dhe narrativa të koordinuara që synojnë të errësojnë të vërtetën, aftësia e tyre për të marrë vendime të lira dhe të informuara komprometohet. Në raste të tilla, rezultati nuk është thjesht konkurrencë politike. Është erozioni i vetë sovranitetit demokratik. Kosova ka luftuar shumë për demokracinë e saj që të lejojë që ajo të manipulohet në këtë mënyrë. Prandaj, ky moment kërkon vigjilencë nga të gjithë ne.

Është thelbësore për demokracinë në Kosovë që partitë politike të zhvillojnë fushata etiike dhe të refuzojnë përdorimin e dezinformimit. Në këtë rast, përgjegjësia bie drejtpërdrejt mbi partinë në pushtet, e cila përfiton më së shumti nga narrativat e rreme që po qarkullojnë. Ajo duhet të distancohet qartë dhe publikisht nga këto narrativa dhe të dëshmojë se nuk ka asnjë lidhje me fushata të tilla. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë lind një përfundim i pashmangshëm: se përdorimi i mjeteve të luftës hibride nga ajo, në këtë rast fushatave të organizuara të dezinformimit, po përdoret për të manipuluar qytetarët, për të shtrembëruar vullnetin demokratik dhe për të rrezikuar sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës. Në një demokraci funksionale, manipulimi i qëllimshëm i informacionit nuk është vetëm propagandë politike, është një sulm ndaj së vërtetës, ndaj demokracisë dhe ndaj vetë shtetit.

Njëkohësisht, është jetike që institucionet e sigurisë të orientohen maksimalisht drejt zbulimit dhe luftimit të operacioneve të huaja të informacionit që synojnë të destabilizojnë vendin dhe të manipulojnë debatin publik. Organizatat mediatike dhe gazetarët hulumtues kanë një rol thelbësor në këtë përpjekje dhe duhet të vazhdojnë të ekspozojnë pa kompromis manipulimin, propagandën e koordinuar dhe rrjetet e dezinformimit. Po aq e rëndësishme është që qytetarët të mbeten konsumues kritikë të informacionit, duke refuzuar të besojnë apo të shpërndajnë narrativa që nuk mund të verifikohen përmes burimeve të besueshme dhe të sigurta. Në një kohë kur informacioni përdoret si armë, vigjilenca institucionale, profesionalizmi i mediave dhe përgjegjësia qytetare janë linja e parë e mbrojtjes së demokracisë dhe të sigurisë kombëtare.

E ardhmja e Kosovës duhet të vendoset nga vullneti i lirë i qytetarëve të saj, jo nga manipulimi, propaganda apo ndikimi i huaj. Aleancat tona me Shtetet e Bashkuara, NATO-n dhe Bashkimin Evropian nuk janë thjesht marrëveshje diplomatike. Ato janë themeli i sigurisë dhe i së ardhmes sonë. Ne duhet t’i mbrojmë ato. Dhe duhet të mbrojmë të vërtetën. Sepse kur e vërteta dobësohet, vetë demokracia bëhet e cenueshme. Kosova meriton më shumë.

“Në çdo demokraci ka debate politike. Por kur e vërteta manipulohet dhe dezinformimi përdoret si armë për të mashtruar qytetarët, atëherë nuk kemi më garë politike, kemi një sulm ndaj vetë demokracisë dhe ndaj shtetit. Dezinformimi nuk është thjesht propagandë, është një instrument i luftës hibride që synon të shtrembërojë vullnetin e popullit dhe të dobësojë themelet e shtetit. E ardhmja e Kosovës nuk mund të ndërtohet mbi gënjeshtra dhe manipulim. Ajo duhet të ndërtohet mbi të vërtetën, mbi qytetarë të informuar dhe mbi një demokraci që nuk frikësohet nga transparenca, por e mbron atë. Sepse kur mbrojmë të vërtetën, ne mbrojmë vetë Kosovën.”

Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë