Loading…

Demonët e një BESE të pajetume ose lenie Zaevin të ikë

  • Nga

  • ADELINA MARKU

  • 24/11/2021 | 18:16

Demonët e një BESE të pajetume ose lenie Zaevin të ikë

Këshilla ime për të dhe për ne është e bardhë e thotë, lëreni të ikë Zaevi. Ai këtë ikje e do sinqerisht. Ai po bëhet nga heroi, në antihero duke fabrikuar tragjeditë! Ai nuk din përtej misionit që e kreu dhe e guxoi! Bashkë me ne shqiptarët, ai kreu misionin NATO. Lëreni të lirë të vetënjohë gabimet dhe fajin gjatë qeverisjes. Edhe në ikje ka dinjitet! Le ikë, sepse promotori i Shoqnisë për të gjithë rrëshqiti në nyjet e Gordionit që i kapërcente pa u thelluar


Shkruan: Adelina MARKU

KUJTESA

Ne shqiptarët e Maqedonisë së Veriut tanimë rrisim veten të ndarë nga lidhja e fortë e dikurshme me Kosovën. Ishim së bashku pjesë e ish Jugosllavisë dhe si dëshmitare e asaj kohe kujtesa ime shënon momentume të ndjenjave të forta për njëri tjetrin! Në dashni të fortë ngjanin këto momentume! Ne këndej, gjenim një ‘’Mother-Father Figure’’ në Kosovën! Mendo ti çfar arketipi t’skalitun rritëm për njani tjetrin! Pothujse saktësi muzike! Bukur, fort bukur.

Ne shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk ndërtuam ndjenjë të këtillë lidhshmërie të fortë me Shqipninë si me Kosovën. E kuptushme miq mikesha, jo për diçka tjetër , por sepse rregjimi I asaj ane tek ne reflektohej si nje iluzion që e vetkrijonim për Shqipninë. Baballarët tanë, nanat tona, në mungesë të dashnisë organike për Maqedoninë (asaj kohe vetëm Maqedoni) – sepse ndiheshin të mohuar e të papranuar kulturalisht nga Tjetri I etnisë shumicë këndej, na ushqenin me atë nacionalizmin e mëndafshtë (kështu e quan Miku nacionalizmin shqiptar), fijet e së cilit na ndihmuan për shumë gjatë kohë të mbroheshim nga simulakrumi stisan i aparatit shtetnor. Tani kur ndihem e formume në pjekni e moshë për me e kuptu cilsishëm distancën kohore dhe gjamat e dënesjet, gëzimet që ajo pru, e kujtoj saktësisht idenë time si fëmijë mbi Shqipninë. Mbaj mend spikamën e asaj fantazie mbi Shqipninë: Shqipnia në andrrën time t’fëminisë ishte si për një vend ku kishte shumë PASTËRTI! E theksoj, PASTËRTI në rrugë, nëpër shtëpi, nëpër lulishte, dhe mbi çdo gjë, në njerëz! Një denializëm ky që rra si kullë letrash mbasandej! Sepse RRENA dul guliç!

Nji rrumbullakim pra; në Shqipninë e andrrës së fminisë teme jetonin Njerëzit e Pastër, në Kosovën e jetës time jetonin Njerëzit e Dashnisë sFortë. Në ndërkoh’, në vendlindjen teme, sot Maqedonia e Veriut, jetonin njerëzit me Gojëgomë! Më formohet si Gojëgome n’sajim gjuhnie, pra i quaj Gojëgomë, sepse atë çka nga kjo orbitë kulturore mbaj mend e nga fëminia ime në Dibër, janë edicionet e LAJMEVE në TV Publik, Makedonska Radio Televizija ku Babën dhe Nanën teme/tanden padyshim, e gruponin në Njerëz të Pabesë për Shtetin! Në realitet, prindërit tonë ishin të sofistikum e ishin përkdhelë nga edukimi shkollor por edhe erudite ndaj dhe unë/ti e kishim të qartë se projektimi nga kutia e televizionit ishte i fabrikum. Kjo stigmë ishte Rrena e Madhe që mbaj mend nga fminia. Këta Gojëgomë që ndërtonin e skaltinin rrenën panda ishin Njerëzit e Aparatit Shtetnor që kishin gojëgomni skematike e saktësisht të organizume në narrativë e diskurs politik për shqiptarët, Babën, nanën teme /tanden! Të shkollumit fuqishëm në kuptimin e rrandsisë së përkatsisë kulturore paraqiteshin si rrezik për Aparatin Shtetnor nga gojëgomët e si të tillë ishin të pabesë.

MVETËSIMI

Kaloi kohë e rrodhi ujë! Kosova u mvetsu, Shqipnia u dliru! Ne, po OHHH bre mik/mikeshë se sa u gzum këndej! PAFUNDINË e gzimit e kremtonte ma s’miri Baba jem, Ai qante nga gzimi! Nuk gjëmonte, por BUKURQAMJA e Tij mua më ndërtoi integritetin! Këtë Mbaj Mend, ai thoshte se I kish dhanë Besë vetes se do e jetonte dhe do punonte për t’kremtu këtë ditë! .

Kështu fjala BESË u ndërtu përgjatë fminisë teme/tande. Pra , nuk e hymnizonim e as mite nuk I ndërtonim ksaj shtylle gjuhsore e ksaj trajte t’fuqishme mendore, sepse për dallim na duhej t’a edukojmë e t’a pranojmë si Shtyllë Shtetare për Veten e në rastin tonë për me mbajt ngritkrye persiatjen për afirmim identiteti kulturor e I cili kalonte pengesa skizofrenike në vend!

Sot miq/mikesha fjala Besë tek shqiptarët e Maqedonisë së Veriut ka marrë trajta pezhorative. Besa dikur ishte emer i ndalum nga Aparati Shtetnor, flas për vitet e 70- 80 të shekullit të kalum, ndërsa sot Besë ose Besa quhet edhe një partitë politike edhe një Agjenci turistike. Mendo ti si e përjetojmë lirinë ne shqipatrët e Maqedonisë së verit, me një sipërfaqsi cipash mediokre! (pshtyj mllef!)

RRITJA

U rrita bashk me ShtetinAtdhe, e tuj e pa si lakonte kurrizin me poaq elasticitet si gojëgomnia në mbamendjen e fminisë teme. Bljau, bljau, bljau- ja , pikërisht këta germa t’alfabetit I kam zgjedh për me ju bë me dije plastikën e rrotullimit gojagomë të lidershipit sot. Iku koha e BabësNanësTem/Tande dhe ne po mësohemi përshtatjes n’faqen e re të historsë së vendit, shoqnisë. Njeriu I mençur duhet zhvillu aftësi përshtatjeje padyshim. Aftësia për përshtatje megithatë lyp mbajt fort integritetin, njejt si kujtimi im për dashninë e fortë për Kosovën , njejt si kujtimi im mbi idealizimin e njifar Shqipnie t’pastër, pothujse xham! Fundja, në nji mendje metaliberale , atdheu asht aty ku ndihesh mirë apo…e kshtu me rradh’, e kshtu me rradh’! Personalisht vetdijshëm kam zhvillu sensin për edukimin e mllefit që mbarsja nga fminia për ShtetinAtdhe sot dhe me poaq vetdije të edukume e vëzhgoj, kontriboj dhe ia dua të mirën metavendit tem! Bile këndejpari, nuk e përmendim fort etninë mazhorancë si dimension etnorevolucionar më, pasi këtë paradigmë e ka thy her zbythshëm e her avangardshëm Kryeministri Zaev e me atë takat që e ka projektu ai në matricën e vet dhe në grupin që udhëheq. Problemi që po sjell thymja e këtij kodi, e që Zaevi ia ka vu emnin: ‘’Shoqni për të gjithë’’duhet lyp prap në rrafshin psikologjik të shoqnisë. Lidershipi politik që flet në gjuhën maqedonase sot, tuj dasht me dëshmu se nuk jeton ma në denializëm, po zhvillon një model të ri udhëheqsie për vendin e shoqninë e që përfshihet përmes diskursit Politikisht Korrekt ndaj tjetrit. Tjeri, në esencë, jemi ne shqiptarët këtu. Të qenit politikisht korrekt përkthehet edhe kështu: do sillemi politikisht korrekt ndaj njëri tjetrit edhe në të mirë edhe në të keq, edhe kur shkelim ligjin edhe kur korruptojmë! Por edhe kur bëhemi anëtarë të NATO-s, por edhe kur rrejmë veten tonë! Ne jemi tani Shoqni për të gjithë dhe bashkëvarësia është shtylla e shtetit tonë (…sic)

Por trajta jonë sot ç’dok mban? Sot miq/mikesha fjala Besë tek shqiptarët e Maqedonisë së Veriut ka marrë trajta pezhorative. Po, troç, pezhorative! Besa dikur ishte emer i ndalum nga Aparati Shtetnor, ndërsa sot Besë ose Besa quhet edhe një parti politike por edhe një Agjenci Turistike. Mendjelehtët këtë e quajnë Liri dhe Integrim!

REALITETI GULIÇ

… jeta është e vrazhdë kur ia kupton realitetin e guliçllëkun. Vrazhdësi therrëse shkaktoi djegja për së gjalli e 46 udhëtarëve që ktheheshin nga turizmi në Stamboll me busin e Agjencisë Besa Trans, I cili për më shumë kishte patur parregullshmëri dokumentacioni e si I tillë duhej të ishte I ndaluar të ecte. Ksaj traume të përmasave gjigande për këtë shoqni të vogël e kaq fragjile në ndërtim e mbijetesë, I kishte paraprirë djegja e spitalit modular antiCOVID19 në qytetin e Tetovës ku u dogjën për së gajlli 16 njerëz e për ekspertizën e shkaktarit ende vetëm paragjykojmë. Me gjasë tenderim i korruptum! Ndersa kësaj apokaliptike i kish paraprirë rrënia në humnerë në fshatin Llaskarcë e një busi tjetër të një agjencie pronari shqiptar ku humbën jetën 16 njerëz. Agjencia e pronarit shqiptar kish pat parregullsi të rrënda ligjore poashtu. …Mendoje për një sekondë se përse e theksoj pronësinë shqiptare dhe e diskutojmë bashkë këtë skizofreni tonën! Këtë abuzim tonin me veten! Këtë trajtë demone korruptive!

SOT BESA!

Njerëzit që jetojnë në Maqedoninë e veriut nuk dallohen për lumturi ose për ndonjë stil jete urban. Kush jua thotë këtë, rren! Dita ditës po shoh se I besojmë MOSBESIMIT ( Ivan Krastev) , votuesit aktivë ose militantët e devotshëm partiakë -kështu I quajmë ne këtej, kanë filluar t’I gjasojnë fillimisht Lidershpit të tyne por në process, edhe etnitë kanë filluar të horizontalizojnë sjelljen e tyne. Sociologjia e dhunës dhe diskriminimit krijon ndjenjë faji padallim AND-je, dhe ky, FAJI, po na udhëheq moti kohë! Neve kemi filluar t’I ngjajmë njëri tjetrit! Qytetari shqiptar I ngjan një qytetari maqedonas ! Në mëndjen teme them se aftësohemi mrekullisht të barazojmë veten në bërje politikë recidivesh dhe prandaj propagandimit FAKE I dalim në mbrojtje si në fshehje korrupcioni, si në mosrespektim ligji, si në krim, si në propagandim vlerash humane, si në BRAIN WASH fetaropolitik, si në cinizëm, si në tallje, si në vjedhje. Do më? Ne tanimë kemi zhvillu një platformë barazie në gjëmim mosdije të përgjithshme e që quhet jo SHOQNI PËR TË GJITHË – por, MOSDIJE SHOQNORE PËR ZHVILLIM VENDI! Mungesa e përgjegjesisë dhe rrenda e ligjit janë shkaktarët kryesorë të kësaj psikologjie politike. Diku udhës tuj ngarrend me mbajt tituallirin ndaj shtetit, duke marë trajta mbijetese , por dhe shpesh sharllatane e tuj shtërkambzu njëri tjetrin , tuj ja fal aty për aty , qoftë njëri komunitet, qoftë tjetri, ne shqipatrët e humbëm atë që e kishim shpallur si vlerë institucionale- Besën …. Besa sot këndejpari, ka mare trajta pezhorative të metapërmasave. Ndaj kaq lehtas, politikën e quajmë BESË, ndaj dhe kaq lehtas biznesin e quajmë BESË!

POLITIKSHT KORREKT

Në këtë pjekni kohe , kam mësuar se respekti për veten nuk krijohet me korrektesë politike (konformizëm)e për më shumë , kam konstatuar se as vendi e as vetja nuk qeveriset me ndjenjë faji. Kur e analizoj edhe më thellë sajesën tonë sot, gjykoj se ne këtu në Maqedoninë e Veriut veprojmë e bëjmë jetë e politikë përmes PERSONALITETIT NË HIJE. Ky, si I qenë submisiv për aq gjatë kohë, nuk e njeh ndjenjën e përgjegjësisë dhe e shtyp fajin!  Personaliteti në hije është ana e errët e panjohur e njeriut. Hija, sipas Karl Jungut, duke qenë instinktive dhe irracionale është e prirur vazhdimisht ndaj atij projekcioni psikologjik, në të cilin inferioriteti i perceptuar personal njihet si mangësi morale e perceptuar tek dikush tjetër ! Ndaj dhe ne , sëbashku sot, maqedonas e shqiptarë, tuj lujt SHTET, mbulojmë fajet , gjëmat, pisllëqet e njëri tjetrit për aq sa jemi bashkë!

TUJ IA DASHT THINJAT DORIS LESSING

Miq , mikesha, Besa jonë sot më duket e pështirrë këndej nga Maqedonia e Veriut. Besa është shndruar në mjet politik e biznesbërje. Vyrtyti I saj është pshurrur për të satën herë! Ne pa gjene, nuk arritëm as edhe kulmin e vetënjohjes për të shijuar Besën si vyrtyt. Ne e ndalëm këtë process nga një frikë irracionale, prandaj dukemi edhe tragjikomikë në kulturë politike! Ja se çka thotë shembulli im: Le mos harrojmë se ishim ne shqiptarët që deshëm të shpëtojmë Kryeministrin Zaev kur ai fabrikoi me moralin e dorëheqjes së Ministrit dhe Zv/ministrit të Shëndetësisë pas tragjedisë në Tetovë dhe jemi poaq ne shqiptarët që e ftojmë Kryeministrin Zaev të qëndrojë edhe ca në qeverisje pas tragjedisë së fundit…Nëse dikush nga ju më jep dhjetë përgjigje të mëndjes së shëndoshë se përse ndodh kjo kështu, ju ftoj në debat!

Këshilla ime për të dhe për ne është e bardhë e thotë, lëreni të ikë Zaevi. Ai këtë ikje e do sinqerisht. Ai po bëhet nga heroi, në antihero duke fabrikuar tragjeditë! Ai nuk din përtej misionit që e kreu dhe e guxoi! Bashkë me ne shqiptarët, ai kreu misionin NATO. Lëreni të lirë të vetënjohë gabimet dhe fajin gjatë qeverisjes. Edhe në ikje ka dinjitet! Le ikë, sepse promotori i Shoqnisë për të gjithë rrëshqiti në nyjet e Gordionit që i kapërcente pa u thelluar, por edhe sepse, ‘’korrektësia politike është vazhdimësia e natyrshme e linjës partiake. Ajo që po shohim edhe një herë të paraqitet është një grup i vetë-emëruar vigjilentësh që imponojnë pikëpamjet e tyre te të tjerët. Kjo është një trashëgimi e komunizmit, por duket se nuk e shohin!’’- këtë e thotë Doris Lessing, një grua e thinjur, që gjërat në jetë i ka marë shtruar e me vlerë…ndaj dhe e sjell e e risjell panda…

Që të mos harrojmë!

(Autorja është diplomate dhe kolumniste e rregullt në Gazetën Koha në Shkup) 

Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë