Loading…

Dënohet me 8 vite burg personi që shkaktoi aksidentin me pesë të vdekur në Ferizaj

  • 27/05/2022 | 15:16

Dënohet me 8 vite burg personi që shkaktoi aksidentin me pesë të vdekur në Ferizaj

Gjykata Themelore në Ferizaj ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Erton Musliu, duke e dënuar me 8 vite burgim, për akuzën se shkaktoi aksident në qershor të 2021-ës në Koshare të Ferizajt, ku humbën jetën pesë persona.


Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Musliu u shpall të premten nga gjyqtarja e çështjes, Kadrije Goga-Lubishtani, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësja Goga-Lubishtani bëri të ditur se kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.

Ndryshe, Erton Musliu është deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur më 5 tetor 2021.

Sipas aktakuzës, më 6 qershor 2021, rreth orës 15:37, në rrugën magjistrale Ferizaj-Shtime, saktësisht në fshatin Koshare të Komunës së Ferizajt, i pandehuri duke drejtuar automjetin të markës “Audi A8”, me të arritur përballë firmës “LS Qeramika”, me dashje eventuale shkel nenin 53, paragtafin 1 të Ligjit për rregullat e trafikut rrugor.

Aty thuhet se duke mos ia përshtatur shpejtësinë e lëvizjes kushteve të rrugës në vendbanim, si dhe duke mos i respektuar rregullat e komunikacionit, kishte tejkaluar në vijë të plotë dhe kishte kaluar në shiritin e majtë rrugor, me ç’rast më pjesën e përparme të automjetit e godet automjetin e tipit “Golf II” në pjesën e përparme të anës së majtë, i cili automjet ishte duke lëvizur nga drejtimi i kundërt Shtime-Ferizaj.

Në aktin akuzues thuhet se në këtë aksident, në vendin e ngjarjes ndërrojnë jetë N.R., Xh.R., S.R. dhe i mituri Y.R., kurse I.R. ndërron jetë më pas në QKUK në Prishtinë. Gjithashtu, thuhet se L.H. person lëndime të rënda trupore, kurse Y.H. lëndime të lehta.

Me këtë, Erton Musliu akuzohej se ka kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”, nga neni 370, paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, kryesi i së cilës dënohet me burgim prej tre deri në 12 vjet.

Ndryshe, nga 6 qershori deri më 25 shtator 2021, Musliu ka qëndruar në paraburgim, kurse nga 25 shtatori e deri më 25 tetor atij i ishte caktuar masa e arrestit shtëpiak.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë