Gratë deputete të PDK-së kanë lëshuar seancën si shenjë proteste për fyerjet që i janë bërë ministres së Drejtësisë Dhurata Hoxha, nga anëtari i Vetëvendosjes Sami Kurteshi.
Ish-Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, e kishte quajtur “lopë” ministren e Drejtësisë, Dhurata Hoxha.
Deputetja e PDK-së Selvije Halimi tha se është e shqetësuar me një gjuhë që po vazhdon dhe ajo po i kalon limitet.
“Më befason skajshmërisht rasti kur njerëzit që burojnë nga familjet atdhetare dhe kanë sakrifikuar shumë për Kosovën, në drejtim të mbrojtjes së drejtave të njeriut vazhdojnë që nga pardje, dje dhe sot të mos kursehen për një fjalor të papranueshëm ndaj ministres së Drejtësisë. Me shqetëson fakti që nga njerëz të tillë është e papranueshme që me një fjalor të tillë po degradojmë dhe tejkaluar çdo limit, çdo fjalë dhe se kjo po ndikon negativisht dhe shkatërron familjen”, tha Halimi.
Më pas ka reaguar edhe deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, që ka thënë se “pavarësisht qëndrimeve të kundërta politike që mund të kemi, pavarësisht mospajtimeve me mënyrën se si dikush e menaxhon një institucion, gjuha që është përdorur nga z. Kurteshi është e papranueshme dhe si e tillë duhet dënuar nga të gjithë”.
Edhe shefi i deputetëve të PDK-së në Kuvend, Zenun Pajaziti, ka folur me tone kritike ndaj kësaj gjuhe, ndërsa ka treguar se deputetet po largohen për këtë shkak.