Loading…

Departamenti i Shtetit bën thirrje për qetësi pas aksionit të Policisë së Kosovës në veri

  • 13/10/2021 | 21:01

Departamenti i Shtetit bën thirrje për qetësi pas aksionit të Policisë së Kosovës në veri

Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se Shtetet e Bashkuara bëjnë thirrje për qetësi, pas zhvillimeve të 13 tetorit në Kosovë.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë me Bashkimin Evropian dhe NATO-n për t’iu ndihmuar të gjitha palëve që të arrijnë përparim në normalizimin e marrëdhënieve dhe ulje të tensioneve”, është thënë në përgjigje për REL.

Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion policor kundër kontrabandës në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut më 13 tetor.

Ky aksion është kundërshtuar nga serbët lokalë në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan, të cilët kanë protestuar dhe kanë ngritur barrikda.

Në orët e mbrëmjes, barrikadat e vendosura në rrugën magjistrale Prishtinë-Rashkë, përkatësisht në vendbanimin në Rudarë, në Komunën e Zveçanit si dhe ato të vendosura në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut, janë tërhequr.

Sipas autoriteteve, dhjetë policë dhe dhjetë qytetarë janë lënduar në Mitrovicë të Veriut, ndërkaq tetë persona janë arrestuar ose ndaluar.

Po ashtu, dhjetë persona të dyshuar për përfshirje me kontrabandë me mallra, janë shpallur në kërkim.

Autoritetet në Kosovë kanë thënë se gjatë aksionit janë sekuestruar mallra të kontrabanduara në vlerë prej qindra mijëra eurosh.

Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, ka thënë të mërkurën se aksioni i Policisë dhe Doganës së Kosovë kundër kontrabandimit të mallrave, është pjesë e luftës së autoriteteve të Kosovës kundër kontrabandës dhe evazionit fiskal.

“Ky operacion nuk është i drejtuar kundër asnjë nacionaliteti. Ky operacion është i drejtuar kundër kriminelëve që kanë kontrabanduar mallra në mënyrë ilegale në Kosovë. Prokurorja e rastit është serbe, gjykatësi i procedurës paraprake është serb, pjesëtarët e njësisë së reagimit të shpejtë në Mitrovicë të Veriut janë shumica serbë, shumica e të arrestuarve janë shqiptarë, shumica e të kërkuarve janë shqiptarë”, ka thënë Sveçla.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë