Loading…

Deputeti i PDK’së: Koalicioni nuk i ka votat për ta kaluar demarkacionin

  • 03/03/2017 | 16:23

Deputeti i PDK’së: Koalicioni nuk i ka votat për ta kaluar demarkacionin

Arbitrazhi ndërkombëtar për shënjimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi mund të vijë në shprehje si opsion real nëse Kuvendi i Kosovës dështon përfundimisht që ta ratifikojë Marrëveshjen për Demarkacionin.


 

Aktualisht, jo vetëm opozita, por edhe një numër i konsiderueshëm i deputetëve nga radhët e partive në pushtet nuk po e mbështesin marrëveshjen aktuale, me bindjen se shënjimi i vijës kufitare është bërë në dëm të territorit të Kosovës.

Nisur nga klima jo e mirë politike e krijuar në Kuvend, nënkryetari i këtij institucioni Xhavit Haliti, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, thotë se zgjidhja më e mirë do të ishte përmes Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Ai nuk beson që insistimi i qeverisë për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje do të sjell ndryshimin e qëndrimit të deputetëve.

“Qeveria mund ta sjell marrëveshjen, por unë jam skeptik që ajo mund të ratifikohet, për shkak se qeveria nuk i ka votat në Kuvend. Duke pasur parasysh se nuk janë votat e mjaftueshme për ratifikim, mendoj se kjo marrëveshje do të prodhojë situata të pakëndshme”, thotë Haliti për Radion Evropa e Lirë.

Çështja e Demarkacionit, ka thënë tutje deputeti Xhavit Haliti, është politizuar tepër. Andaj, zgjidhja, sipas tij, duhet gjetur jashtë kuvendit, përkatësisht tek Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit, e cila ka selinë në Hagë.

“Unë mendoj që politikisht, në interes të Kosovës është që të ketë një marrëveshje me Malin e Zi dhe çështja të shkoj në arbitrazh dhe Bashkimi Evropian, qoftë Komisioni Evropian apo Parlamenti Evropian, si përgjegjës për liberalizimin e vizave ta shtyjnë përpara të drejtën e kosovarëve për liberalizimin e vizave. Kurse çështjen e Demarkacionit ta merr për ta zgjidhur Gjykata e Arbitrazhit”, thotë Haliti.

Në anën tjetër, edhe analisti Arben Qirezi, thotë se nëse Kuvendi i Kosovës nuk e ratifikon marrëveshjen për Demarkacionin, atëherë qeveritë e Kosovës dhe Malit të Zi mund të dakordohen që çështja t’i procedohet Gjykatës së Arbitrazhit.

Ndërkohë, analisti nga Instituti Demokratik i Kosovës, Albert Krasniqi, thotë se Kosova fillimisht duhet ta ketë një qëndrim zyrtar nëse e pranon apo jo Marrëveshjen e arritur me Malin e Zi, në mënyrë që më pastaj të ndiqen procedurat tjera.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë