Deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, Valon Ramadani, ka bërë akuza të rënda në drejtim të bordit të RTK’së, shkruan Gazeta Metro.
Komisioni Parlamentar për Media sot ka votuar rekomandimin për shkarkimin e Bordit të RTK’së.
Pjesë e këtij komisioni është edhe Ramadani, ai ka shkruar se për disa udhëheqës në RTK nuk mjafton vetëm shkarkimi, por duhet edhe të shkojnë në burg.
“Disa udhëheqës aty nuk duhet vetëm të largohen nga puna, por edhe të shkojnë në burg! RTK-ja do të reformohet, dhe siç kemi thënë edhe më parë, ajo fillimisht duhet të çlirohet!”, ka shkruar Ramadani.
Postimi i plotë:
Bordi i RTK-së do të shkarkohet, por ky duhet të jetë vetëm fillimi. Aq shumë keqpërdorime e abuzime ka pasur aty, saqë shkarkimi është pak. Megjithatë, ky shkarkim është i nevojshëm për t’i hapur rrugë komisionit hetimor dhe Prokurorisë për hetime të thella. Disa udhëheqës aty nuk duhet vetëm të largohen nga puna, por edhe të shkojnë në burg!
RTK-ja do të reformohet, dhe siç kemi thënë edhe më parë, ajo fillimisht duhet të çlirohet!./gazetametro.net