Loading…

Deputetja e Bundestag: BE’ja zhgënjeu edhe më tej Ballkanin me fjalë ngushëlluese në Slloveni

  • 08/10/2021 | 12:25

Deputetja e Bundestag: BE’ja zhgënjeu edhe më tej Ballkanin me fjalë ngushëlluese në Slloveni

Pas samitit të BE’së për Ballkannt Perëndimor në Brdo, Slloveni, deputetja liberale gjermane, Renate Alt (FDP) raportuese e grupit parlamentar liberal për Europën Lindore e Juglindore reagon me kritika të ashpra ndaj përpjekjes së fundit të bllokut për të siguruar 6 shtetet ballkanase që sipas deputetes Renate Alt rrezikon të përfundojë në zhgënjim pas ngurrimit të përcaktimit të qartë për një perspektivë europiane të tyre, transmeton Gazeta Metro.


Deputetja e Bundestagut e FDP-së, Renate Alt, anëtare e Komisionit të Jashtëm të Bundestagut dhe raportuese e grupit parlamentar të liberalëve për Europën Lindore e Juglindore në një prononcim për DW mban një qëndrim kritik ndaj rezultateve të samitit të BE-së e Ballkanit Perëndimor të zhvilluar në Brdo.

“Që vendet e Ballkanit Perëndimor edhe më tej duhet të kënaqen me fjalë ngushëlluese çon në zhgënjim të mëtejshëm në rajon në lidhje me procesin e anëtarësimit. Me paketën e investimeve, BE nga njëra anë tregon, se do të angazhohet edhe më tej, por nuk do të përcaktojë një perspektivë të qartë europiane, për të mos folur për detyrimet konkrete që duhet të përmbushin këto vende.”

BE e dëmton kështu imazhin e saj me këtë dhe humb kështu besimin që i duhet në procesin e anëtarësimit, thekson deputetja liberale gjermane, Renate Alt.

“Sidomos vendeve me vullnet për reforma si Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do ta kenë më të vështirë. Veçanërisht të rinjtë e arsimuar e të orientuar nga reformat po e lënë vendin që nga viti 2019 në masë dhe kërkojnë diku tjetër një perspektivë për të ardhmen”, kujton Alt, duke përmendur se ky është një zhvillim që BE po e nxit me hezitimin dhe mungesën e unitetit të saj.

Deputetja gjermane, Renate Alt kërkon që qeveria gjermane në detyrë dhe vende si Austria ta bindin Francën, se perspektiva e anëtarësimit e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe zhvillimi i mëtejshëm i BE, nuk e përjashtojnë njëra tjetrën.

“Sigurisht kjo nuk i çliron nga përgjegjësia 6 vendet e Ballkanit Perëndimor për të bërë përparime konkrete në fushën e shtetit ligjor, lirisë së mediave dhe luftën kundër kriminalitetit të organizuar. Për BE ka rëndësi: Bëhet fjalë për influencën e saj në rajon, që po sfidohet nga vende si Kina dhe Rusia e Turqia, si edhe për stabilitetin e kontinentit europian”, shprehet Renate Alt mbi përfundimet e samitit të Brdos.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë