Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Aida Dërguti që vjen nga VV’ja, e ka cilësuar si jokorrekt dhe në shpërputhje me rregulloren e Kuvendit ftesën për mbledhje të ardhur pak para mesnatës.
Siç ajo ka thënë, ftesat në atë kohë nënkuptojnë mbledhje urgjente, ndërkohë që mbledhja e sotme e Kryesisë ishte me pika normale, shkruan gazetametro.net.
‘Ftesa në atë kohë do të nënkuptonte që është një mbledhje urgjente. Mënyra e informimit është jokorreke dhe në shpërputhje me rregulloren e Kuvendit’, ka thënë Dërguti.
Ndërkaq, ajo ka bërë me dije se e gjithë mbledhja kishte një rrjedhë të zakonshme, duke shtuar se për demarkacionin nuk është folur fare.
‘Nuk pat asnjë pikë të jashtëzakonshme që flitet tash e sa kohë se do të vijë demarkacioni apo ndonjë çështje tjetër urgjente. Por është një procedim tërësisht normal i pikave të mbetura’, ka shtuar ajo.
Dërguti ka përsëritur edhe një herë përkrahjen për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë të iniciuar nga NISMA për Kosovën, por për të cilën nuk kishte informata se sa nënshkrime janë mbledhur.
Ajo, po ashtu, ka treguar se në këtë mbledhje u vendos për vazhdimin e seancës së mbetur për nesër, ndërkohë që të enjten e ardhshme do të mbahet një seancë e re plenare./gazetametro.net