Emisioni “Çirilica” nuk është mjeti për të biseduar me serbët, enkas me qiftat e Milomir Maricit të finacuar nga para të dyshimta, dhe sidomos jo, nga Zyrja e Kryeministrit të vendit.
Kryeministri Ramush Haradinaj, është këshilluar keq nga kabineti i tij për të zgjedhur për komunikim një emision si “Çirilica”, i Milomir Maricit i cili nuk është aspak zgjedhje e mençur për një Kryeministër të përcjellë porosi politike në Serbi.
Niveli i ultë i gazetarit dhe shpërkujdesja e Kryeministrit për të folur më shlirë se sa është e nevojshme, bëri që Serbia të vërshohet me tituj se si organizohen orgjiat në Kosovë, të cilat i përmend edhe Erdogani, e deri te vrasjet në Radonic të Gjakovës dhe finasimi i UÇK’së nga narko dillerët dhe trafikantët kosovarë, në Happy TV.
Një televizion që bash financohet nga para të tilla të fëlliqta, të gangsterit Peconi dhe “Klanit të Surçinit”, që të hanën e të enjëtën, vrahen me armë në mes të Beogradit. Kësaj gazetarie anti-kosovare, të finacuar nga të gjitha rrymat e tilla, që i ngjanë vetëm propagandës ruse, përpos që ende po ja shohim sherrin nëpër Evropë, kujt ju desh që Kryeministri i vendit, ta legjitimojë atë duke e sjellë në Qendër të Prishtinës, e sidomos në zyrën më të lartë të Kosovës?
Kush është Çirilica e vërtetë
Për ata që s’e dijnë, Milomir Maric është një gazetar kinse satirik, i cili pa shije shpalosë humorin provincial të Shumadisë, atje edhe ku u lind. Këtë humor e shoqëron me nacionalizmin dhe fundamentalizmin fetar të serbëve, që i ngjanë stileve të regjimit të Slobodan Milosevicit, me gruan e të cilit edhe ishte kolegë në revistën Duga, ku përpos të gjithave edhe vdisnin në mënyrë të dyshimtë gazetarët që përqeshnin stilin poetik e naiv, të shkrimit të Mira Markovic Milosevic, kolumniste në atë kohë.
Edhe sot Maric, është udhëheqës i një emisioni të çuditshëm dhe zhanër të pa parë diku, i cili quhet “Cirilica”, e që transmetohet në Happy TV të Beogradit, pronë e Predrag Rankovic – i njohur si Peconi, bos i aparatave të bixhozit, hoteleve dhe ish kontrabandist i naftës e duhanit, i cili edhe njihet si një nga donatorët kryesorë të partisë SPS, të Ivica Dacicit, dikur partia që nxiti të gjithë terrorin mbi kosovarët në krye me Slobodan Milosevicin. Peconi është një nga kryesuesit e Klanit të Surçinit, grup mafioz, tani i shndërruar në grup të madh interesi në Serbi që kontrollon edhe pjesë vitale të politikës dhe shtetit serb.
Kryeministri i pa përgaditur për Çirilicë
Pas emisionit nga lajmet që u nxorrën nga konteksti i kësaj interviste në Serbi, publikut atje ju servua që Ramush Haradinaj organizon orgji, duke ju referuar deklaratave të prisit turk Erdogan. Dolën lajme se Kryeministri i Kosovës, është vrasës ordiner i serbëve në uniforma dhe që kosovarët janë vegël e fuqive të mëdha, kundër serbëve dhe Serbisë.
A janë të sakta këto? Pse Kryeministri bëhet protagonist për prodhimin e këtyre ngjarjeve?
Megjithëkëtë, besimi i Kryeministrit Haradinaj për të biseduar tema të fushëbetejave me një gazetar si Milomir Maric, tregon për mos njohjen e Kryeministrit Haradinaj për nuancat e Serbisë reale, dhe naivitetin e tij prej një burrështetasi që nuk i duhet një Kryemnistri të Kosovës.
Kryeministri Haradinaj përpos që ishte këshilluar keq nga kabineti i tij për të zhvilluar një intervistë të tillë, ai shihej qartë që as që ishte i përgaditur për një paraqitje të tillë. Fliste me publikun serb, nëpërmes emisionit më patetik, sikur të ishte me anëtarët e shtëpisë duke ngrënë bukë, e jo me serbet, popullin që ai më së miri e di, që ende mbetet më armiqësori për kosovarë.
Krejt do të ishte në rregull nëse vendimi i Ramush Haradinajt, për të komunikuar në këtë mënyrë me publikun serb, do të vinte nga pozicioni i tij personal, si i ish gjeneralit të luftës, ose liderit të AAK’së. Por kurrësesi, në cilësi të burrështetasit të Kosovës. Gabim i madh.